Presidenti Erdogan në Azerbajxhan, përuron Aeroportin Ndërkombëtar “Fuzuli” me homologun Aliyev

Presidenti Recep Tayyip Erdogan shkoi të martën në Azerbajxhan për një vizitë pune njëditore.
Avioni, me të cilin udhëtoi kreu i shtetit turk, u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Fuzuli”, i pari i ndërtuar nga Azerbajxhani në territoret e Karabakut të çliruar nga pushtimi (armen).
I pritur nga Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, Erdogani u bë presidenti i parë që zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Fuzuli”.
Erdogani dhe Aliyevi prenë së bashku shiritin e aeroportit të ri dhe më pas ata vizituan objektin, rreth të cilit morën informacione nga zyrtarët.
Në kuadër të vizitës së tij në Azerbajxhan, presidenti turk mori pjesë gjithashtu në inaugurimet e autostradës Ahmetbeyli-Fuzuli-Shusha e aksit rrugor Ahmetbeyli-Horadiz-Mincivan-Agbend, si dhe në ceremoninë e hedhjes së themeleve të Kampusit të Bujqësisë Inteligjente që do të ndërtohet në Zangilan me kontributin e Turqisë.
Gjatë vizitës, palët do të shqyrtojnë në të gjitha aspektet marrëdhëniet Turqi-Azerbajxhan dhe do të diskutojnë hapat që do të ndërmerren për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Krahas marrëdhënieve dypalëshe, në takime parashikohet gjithashtu shkëmbimi i mendimeve për zhvillimet aktuale, rajonale e ndërkombëtare.