Vepra e Pashko Vasës me porosi të Sulltan Abdylhamidit II është përkthyer në osmanisht

Botimet më të fundit të Fondacionit “ALSAR”, dy vepra të atdhetarit Pashko Vasa, kanë mbledhur në Tirana figura të njohura të fushës akademike, pikërisht për promovimin e veprave “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët” dhe “Skicë historike mbi Malin e Zi" sipas traditave gojore shqiptare”. Të pranishmit e shumtë në aktivitetin promovues dëgjuan fillimisht fjalën e kryetarit të Fondacionit “ALSAR”, Mehdi Gurra
Fjala e tij u përqendrua te figura e Pashko Vasës dhe te elemente të spikatura të ideve të tij në këto dy vepra. Ai falënderoi studiuesin dhe albanologun gjerman Michael Schmidt-Neke për dhënien e kopjes së fotokopjuar të veprës “Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave gojore shqiptare”, si dhe përkthyesin e saj nga frëngjishtja, prof. dr. Seit Mansakun. Ideolog dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, do të nënvizonte z. Gurra, Pashko Vasa na ndihmon të mos e kuptojmë historinë si bardhë e zi.