TurkStat: 1 milion e 79 mijë e 842 foshnja lindën të gjalla në vitin 2021

Instituti Turk i Statistikave (TUIK/TurkStat) ka publikuar të enjten vonë statistikat e lindjeve për vitin 2021.

1826455
TurkStat: 1 milion e 79 mijë e 842 foshnja lindën të gjalla në vitin 2021

Sipas të dhënave të publikuara nga TurkStat-i, numri i lindjeve të gjalla ishte 1 milion e 79 mijë e 842 në vitin 2021.

“Prej të lindurve të gjallë, 51,3% ishin djem dhe 48,7% ishin vajza”, thekson TurkStat-i duke shtuar se shkalla totale e lindshmërisë ishte 1,7 fëmijë.

Niveli total i lindshmërisë nënkupton numrin mesatar të lindjeve të gjalla që një grua mund të bëjë sipas një shkalle të lindshmërisë së caktuar në bazë të moshës, nën supozimin se ajo jeton deri në fund të jetës së saj riprodhuese (grupmosha 15-49 vjeç).

Teksa shkalla totale e lindshmërisë ishte 2,38 fëmijë në vitin 2001, ky nivel rezultoi 1,7 fëmijë në vitin 2021, që do të thotë se një grua ka lindur afërsisht 1,7 foshnja të gjalla gjatë jetës së saj riprodhuese në vitin 2021. Kjo tregoi se lindshmëria mbeti nën shkallën e zëvendësimit të popullsisë prej 2,1.

Në vitin 2021, provinca me shkallën më të lartë të lindshmërisë totale ishte Sanliurfa me 3,81 fëmijë. Ajo u pasua nga Sirnaku me 3,18 dhe Mardini me 2,78 fëmijë.

Provinca me shkallën më të ulët të lindshmërisë totale vitin e kaluar ishte Kutahya me 1,21 fëmijë. Ajo u ndoq nga Bartini me 1,25 dhe Zonguldaku me 1,26 fëmijë.

TurkStat-i ka analizuar gjithashtu shkallët totale të lindshmërisë së 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në vitin 2020 dhe mesatarja ka rezultuar 1,5 fëmijë.

Bazuar në këtë analizë, vendi me nivelin më të lartë të lindshmërisë totale në BE ishte Franca me 1,83 fëmijë dhe vendi me shkallën më të ulët të lindshmërisë totale ishte Malta me 1,13 fëmijë.

Krahasuar me mesataren e nivelit të lindshmërisë totale të Unionit, Turqia renditet e treta me 1,76 fëmijë.

Ndërkohë që 3,1% e lindjeve ishin lindje të shumëfishta në vitin 2021, 96,2% e tyre ishin binjakë, 3,5% ishin trinjakë dhe 0,3% ishin katërnjakë a më shumë.



Lajme të ngjashme