Analiza e javës –Normalizimi i marrëdhënieve Turqi-EBA

Vlerësimi i prof. dr. Murat Yesiltas, Drejtor i Kërkimeve të Sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.

1742769
Analiza e javës –Normalizimi i marrëdhënieve Turqi-EBA

Analiza e javës –Normalizimi i marrëdhënieve Turqi-EBA

Pas vizitës në Turqi të Mohammed bin Zayed Al Nahyan, i cili është lideri de fakto i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), shumë vëzhgues filluan të diskutojnë për të ardhmen e marrëdhënieve Turqi-Gjiri Persik. Vizita e Zayed në Turqi është spikatëse për sa i përket aspektit që tregon pikën e arritur në marrëdhëniet e dy vendeve, të cilat janë tërhequr në dy kampe të ndryshme që nga viti 2011 dhe po luftojnë ashpër (pas krizës së Gjirit). Me këtë vizitë, nënshkrimi i marrëveshjeve tregtare dhe investimeve me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh mes palëve është një tregues për të ardhmen e marrëdhënieve bilaterale. Edhe pse marrëdhëniet ekonomike të dy vendeve, të cilat kanë ndjekur politika reciproke të ashpra në dhjetë vitet e fundit, nuk kanë pësuar dëme, vizita ka një kuptim të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit.

Të dy vendet prej kohësh kishin ndërmarrë hapa të ndërsjella. Megjithatë, askush nuk priste që normalizimi të ndodhte kaq shpejt. Ka disa arsye pas këtij afrimi për të dyja palët. Vizita ishte mbi të gjitha rezultat i drejtpërdrejtë i ndryshimit rajonal dhe global. Rishikimi i politikave të epokës së Trumpit në Lindjen e Mesme dhe Gjirin nga ana e administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Biden, ka bërë që vendet e Gjirit, veçanërisht Emiratet e Bashkuara Arabe, të shqetësohen. Sapo Biden erdhi në pushtet, ai tërhoqi politikën e "çekut pa limit" të ofruar nga Trump për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Përveç kësaj, Biden braktisi politikën e "presionit të plotë" të aplikuar ndaj Iranit gjatë epokës së Trump për shkak të politikës së tij bërthamore dhe kjo situatë bëri që vendet e Gjirit, të cilat ishin të dobëta kundër Iranit, të hyjnë në kërkim (për alternativa).

Si reagim ndaj kësaj, vendet e rajonit vendosën të ulin tensionet me vendet e tjera të rajonit. Për më tepër, konflikti midis Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili ka kohë që vazhdon dhe ishte shfaqur më hapur për Jemenin, kishte prishur gjithashtu harmoninë mes dy vendeve të Gjirit.

Emiratet e Bashkuara Arabe, një vend shumë pragmatik dhe realist në politikën e tij të jashtme, e panë këtë situatë si një mundësi për t'u afruar me Turqinë dhe bënë një hap madhor drejt normalizimit duke vepruar përpara vendeve të tjera të rajonit për të hequr dorë nga diplomacia e tensionit me Ankaranë. Sigurisht, vala e normalizimit në rajon kishte nisur më herët me përfundimin e politikës së bllokadës ndaj Katarit.

Turqia gjithashtu ka motivacion racional për normalizimin, pasi ky nuk duhet të trajtohet si një proces i njëanshëm. Prej disa kohësh edhe Ankaraja është në kërkim të normalizimit me vendet në konflikt të rajonit. Edhe pse është bërë njëfarë progresi me Egjiptin, Izraelin dhe Arabinë Saudite, një rezultat i plotë nuk është arritur ende. Normalizimi me Emiratet e Bashkuara Arabe u realizua më shpejt në krahasim me vendet e tjera dhe Turqia nuk zgjodhi t'i vërë pengesë “diplomacisë së hapur” në këtë drejtim. Sepse Ankaraja po kërkon të thyejë bllokun e formuar kohët e fundit në rajon kundër saj. Kjo duhet parë gjithashtu si pjesë e përpjekjeve të Ankarasë për të shpërbërë aleancën e krijuar rreth Greqisë dhe Qipros së Jugut, pa bërë shumë lëshime nga pozicioni i saj aktual. Normalizimi me Emiratet e Bashkuara Arabe u jetësua pikërisht në një periudhë të tillë.

Tani pyetja kryesore që kërkon përgjigje është nëse ky normalizim do të sjellë një afrim. E sigurt është që Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia kanë botëkuptime politike të ndryshme për çështje të tilla si Libia, Egjipti dhe Siria. Megjithatë normalizimi me Emiratet e Bashkuara Arabe ka gjasa t'i japë Turqisë shansin për kontakte të ngushta me Egjiptin dhe Arabinë Saudite e më pas tensionet rajonale mund të zgjidhen një nga një. Që të gjitha këto të marrin formë, duhet pritur të paktën tremujori i parë i vitit 2022.



Lajme të ngjashme