Çavusoglu: Rusia dhe SHBA nuk i mbajtën premtimet për tërheqjen e PKK/YPG-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të enjten se as Rusia dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i mbajtën premtimet e tyre për t'i tërhequr terroristët e PKK/YPG-së, sulmet e të cilëve janë shtuar.

1726316
Çavusoglu: Rusia dhe SHBA nuk i mbajtën premtimet për tërheqjen e PKK/YPG-së
mevlüt çavuşoğlu.jpg

Shefi i diplomacisë turke iu përgjigj pyetjeve në lidhje me rendin e ditës gjatë një transmetimi televiziv të drejtpërdrejtë.

I pyetur për operacionin e mundshëm në Siri për shkak të sulmeve të organizatës separatiste terroriste YPG/PKK dhe për kontaktet me Rusinë e SHBA-në në lidhje me Sirinë, Mevlut Çavusoglu u përgjigj me këto fjalë: “Ne hodhëm idenë që të bëjmë me SHBA-në një takim me vendet e njëmendshme për Sirinë ose Grupin Ndërkombëtar Mbështetës të Sirisë (ISSG). Jemi duke punuar në këtë drejtim.”

Çavusoglu risolli në kujtesë se janë realizuar takime të shpeshta në këto formate dhe vetëm më pas hyri në lojë formati i Astanës.

“Tani u paraqit nevoja për një takim të tillë. Ne po u përcjellim rusëve si dhe Iranit këtë mesazh: Ju e patë. Këtë shpjegojani edhe regjimit... një zgjidhje ushtarake nuk është e mundur”, vijoi ai.

Duke vënë në pah se sulmi terrorist në Damask dhe sulmet e regjimit në Idlib patën një ndikim negativ në negociatat për kushtetutën e re të vendit, kryediplomati turk tha: “Ky proces është zgjidhja e vetme. Pra, opozita dhe regjimi të bëhen bashkë dhe të bien dakord për të ardhmen e Sirisë.”

Po ashtu Çavusoglu theksoi rëndësinë e mbështetjes së procesit politik.

“Regjimi në Siri preferon një zgjidhje ushtarake, por ky është një gabim nga i cili duhet të kthehet pa humbur më shumë kohë”, shtoi ministri turk i Punëve të Jashtme.

Ai potencoi edhe se Turqia e mbështet integritetin territorial të Sirisë.

“PKK-ja është një kërcënim për të gjithë ne. Është një kërcënim për ta dhe një kërcënim për ne. Sulmet e YPG/PKK-së janë shtuar kohët e fundit. Fatkeqësisht, as Rusia dhe as SHBA-ja nuk i mbajtën premtimet e tyre për t'i tërhequr këta (terroristë). Prandaj, në një situatë të tillë, ne duhet të bëjmë vetë atë që është e nevojshme. Kjo është ajo çfarë tha edhe presidenti ynë i nderuar”, saktësoi Çavusoglu.

Sipas tij, Presidenti Recep Tayyip Erdogan i ngriti këto çështje në takimin e tij me homologun rus, Vladimir Putin dhe do t'i diskutojë ato gjithashtu në takimin që pritet të zhvillojë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Më tej, ministri vuri gishtin mbi marrëveshjen e arritur nga SHBA-ja dhe Rusia me Turqinë pas Operacionit “Burimi i Paqes”.

“SHBA-ja në zonat me prani amerikane dhe Rusia në zonat me prani ruse do t'i zbrisnin këta terroristë të PKK-së 30 kilometra poshtë. Deri më tani nuk e kanë mbajtur fjalën. Kështu janë këta. Kur bëjmë një premtim, ne e mbajmë fjalën. Kur ne hedhim firmën mbi një marrëveshje, ne bëjmë atë çfarë ajo kërkon. Por jam duke e thënë qartë dhe po flas si për Rusinë ashtu edhe për SHBA-në: nuk e mbajtën fjalën. Përkundrazi, SHBA-ja vazhdoi t'u japë mbështetje këtyre (terroristëve). Sigurisht që këto do të diskutohen në takim”, tha ai.

Pasi nënvizoi se Presidenti Erdogan i ka bërë tashmë deklaratat e nevojshme për një operacion të mundshëm, Çavusoglu iu referua edhe fjalëve të Erdoganit: “Një natë papritmas!”

Ministri turk i Punëve të Jashtme u ndal gjithashtu mbi çështjen e avionëve luftarakë “F-35”, për të cilët Ankaraja i ka paguar Uashingtonit 1,4 miliardë dollarë.

“Nëse SHBA-ja nuk dëshiron ta zgjidhë çështjen rreth avionëve «F-35» apo nëse Kongresi amerikan e bllokon atë, Turqia do të shqyrtojë opsione të tjera duke përfshirë blerjen e avionëve «SU-35» ose «SU-57» (të prodhuar nga Rusia)”, potencoi Çavusoglu.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi më herët gjatë ditës se Turqia dhe SHBA-ja janë pajtuar të vazhdojnë bisedimet për të zgjidhur çështjen mbi programin e avionëve luftarakë “F-35”.



Lajme të ngjashme