Mesazhi i Presidentit Erdogan në NATO: Turqia esenciale për sigurinë, stabilitetin e Transatlantikut

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi marrë një përgjegjësi të rëndësishme jo vetëm për interesat tona kombëtare, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës transatlantike; prandaj edhe hapat tona ne i bëjmë me këtë vetëdije”, deklaroi lideri turk.

1657809
Mesazhi i Presidentit Erdogan në NATO: Turqia esenciale për sigurinë, stabilitetin e Transatlantikut

Presidenti Recep Tayyip Erdogan iu drejtua sot përmes një videomesazhi sesionit të titulluar “Kontributi në Stabilitet” të Forumit të Brukselit, mbajtur në kuadër të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s.

Erdogani vuri në pah se Turqia jo vetëm që udhëheq të gjitha nismat që synojnë vendosjen e stabilitetit nga Iraku në Afganistan, nga Kaukazi në Ballkan, nga Deti i Zi në Mesdhe dhe në Afrikë, por edhe kontribuon në to.

Sipas tij, Turqia respekton ligjin ndërkombëtar, drejtësinë dhe barazinë, të drejtat dhe interesat e ndërsjella në marrëdhëniet e saj me vendet fqinje.

“Unë besoj se rigjallërimi i dialogut me Greqinë fqinje dhe aleate, krahas stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit tonë, i shërben edhe zgjidhjes së çështjeve dypalëshe”, tha presidenti turk.

Më tej, Erdogani nënvizoi se terrorizmi është sot një nga pengesat më të mëdha për vendosjen e stabilitetit.

“Turqia është në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit në të gjitha platformat përkatëse ndërkombëtare dhe veçanërisht në NATO. Ne jemi në një luftë intensive me shumë organizata terroriste, nga PKK/PYD-ja e deri te DAESH-i dhe FETO-ja, brenda dhe jashtë kufijve tanë”, saktësoi ai.

Pasi tërhoqi vëmendjen se Turqia është aleati i vetëm i NATO-s që luftoi trup më trup kundër DAESH-it duke sakrifikuar bijtë e saj të rinj për këtë kauzë, lideri turk vijoi si më poshtë:

“Ne neutralizuam gati 4.000 terroristë të DAESH në operacionet tona ndërkufitare. Për fat të keq, ne nuk pamë mbështetjen dhe solidaritetin që prisnim nga aleatët dhe partnerët tanë në luftën tonë kundër të gjitha formave të terrorizmit.

Në Siri, Irak dhe Turqi, ne dëshmuam se si krerët e organizatës terroriste, të cilët kanë në duar gjakun e të pafajshmëve, u kontaktuan dhe u mbështetën në nivelin më të lartë sikur të ishin një aktor legjitim.

S'duhet të harrohet që kufijtë e Turqisë janë gjithashtu kufijtë e NATO-s. Në këtë aspekt, ne jemi të ndërgjegjshëm që kemi marrë një përgjegjësi të rëndësishme jo vetëm për interesat tona kombëtare, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës gjeografike transatlantike; prandaj edhe hapat tona ne i bëjmë me këtë vetëdije.”

Ai deklaroi se Turqia është ndër 5 aleatët që kontribuojnë më shumë në operacionet dhe misionet e NATO-s dhe mes 8 aleatëve që kontribuojnë më shumë në buxhetin e përbashkët.

“Turqia mban këtë vit edhe komandën e Task Forcës së Përbashkët të Gatishmërisë Shumë të Lartë (VJTF). Duke qenë ushtria e dytë më e madhe e Aleancës, Turqia luan një rol aktiv në përshtatjen e NATO-s ndaj kërcënimeve dhe sprovave aktuale.

Kontributi ynë në ndërtimin e kapaciteteve të partnerëve tanë është po aq i rëndësishëm sa edhe hapat që ne ndërmarrim si aleatë për të qenë të përgatitur.

Me ekonominë e saj dinamike, industrinë e fortë të mbrojtjes, politikën e jashtme parimore dhe në bashkëpunim aleatët e saj, Turqia do të vazhdojë të ndihmojë në vendosjen e paqes, mirëqenies dhe stabilitetit global”, përfundoi Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme