MPJ: Askush nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Turqisë

Ankaraja zyrtare kritikoi të enjten deklaratat e fundit të disa qarqeve rreth ngjarjeve në Universitetin e Bosforit, në Stamboll, duke thënë se nuk i takon askujt të ndërhyjë në punët e brendshme të Turqisë.

1577158
MPJ: Askush nuk mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Turqisë

“Ne i paralajmërojmë ato qarqe të mos përdorin një gjuhë që inkurajon veprime ilegale dhe provokon grupe, të cilat përdorin mjete të paligjshme”, deklaroi Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë për ndërhyrjen e huaj në protestat në Universitetin e Bosforit.

Protestat shpërthyen në Stamboll kundër emërimit të rektorit të ri të Universitetit të Bosforit, Mehmet Bulu, me një grup studentësh që kërkonin dorëheqjen e tij.

“E drejta për tubim e manifestim, si dhe liria e fjalës janë të garantuara me kushtetutë në Turqi”, tha Ministria duke vënë në pah se janë zbuluar raste të infiltrimit nga individë jo studentë të këtij universiteti dhe të lidhur me grupe terroriste, të cilët po përpiqeshin të provokonin protestuesit.

MPJ nënvizoi se forcat e sigurisë po kryejnë detyrat e tyre në bazë të autorizimit që u është dhënë nga ligji, ndërsa shtoi se masa të nevojshme dhe proporcionale janë marrë kundër akteve të paligjshme që shkojnë përtej të drejtës për manifestim.

“Imazhet e fundit të dhunës joproporcionale nga forcat e sigurisë ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe civilë në kundërshtimin më të vogël ndaj qeverisë në shumë vende - të cilat quhen demokraci «të zhvilluara» - janë ende të freskëta në kujtesën tonë”, shtoi ajo.

Ministria gjithashtu këshilloi ata që përpiqen t'i japin leksione Turqisë për demokracinë dhe ligjin, ndërsa injorojnë fillimisht ngjarjet në Universitetin e Bosforit dhe pastaj luftën e ligjshme të vendit ndaj këtyre ngjarjeve, “që të shikohen në pasqyrë”.

“Nuk i takon askujt që të përpiqet për të ndërhyrë në punët e brendshme të Turqisë”, paralajmëroi ajo dhe theksoi se me reformat që kryen, Turqia tregon vendosmërinë e saj për të mbrojtur të drejtat e liritë themelore të garantuara me kushtetutë dhe për të vazhduar luftën kundër terrorizmit.

Të martën, Ministri i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, bëri me dije se 79 nga personat e ndaluar në protesta janë anëtarë të organizatave terroriste, përfshi këtu edhe ato DHKP/C e TKP-ML.

Demonstratat u intensifikuan kur 2 studentë të Universitetit të Bosforit u vendosën në paraburgim nga një gjykatë lokale për shfaqjen e një tabloje fyese për vlerat islame në ambientet e universitetit.

Më parë gjatë ditës, Prefektura e Stambollit deklaroi se 159 të dyshuar ishin ndaluar gjatë protestave.

Autoritetet njoftuan më vonë lirimin e 98 prej të ndaluarve.



Lajme të ngjashme