Valë dënimesh nga Turqia për karikaturat imorale të “Charlie Hebdo” në Francë

Paria e shtetit turk ka dënuar me gjuhë të ashpër karikaturat e pamoralshme të botuara nga revista “Charlie Hebdo” në Francë.

1517532
Valë dënimesh nga Turqia për karikaturat imorale të “Charlie Hebdo” në Francë
charlie hebdo.jpg
Charlie hebdo.2.jpg

Ndihmëspresidenti Fuat Oktay dënoi fuqishëm botimin e pamoralshëm të paçavures së pandreqshme franceze (revista satirike “Charlie Hebdo”) në lidhje me Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

“Ju nuk mund të mashtroni askënd duke u fshehur pas lirisë së mendimit! Unë dënoj e mallkoj botimin e pamoralshëm të paçavures së pandreqshme franceze për presidentin tonë. I bëj thirrje opinionit publik ndërkombëtar të moralshëm dhe të ndërgjegjshëm që të ngrejë zërin kundër këtij turpi”, shkroi ndihmëspresidenti Oktay në rrjetin social “Twitter”.

Përmes të njëjtës platforme reagoi lidhur me çështjen në fjalë edhe ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gul.

“Ju fashistë të privuar nga vlerat njerëzore të Evropës nuk e dini se çfarë është liria e shprehjes. Ju po i shtoni çdo ditë një faqe të re turpit, paligjshmërisë dhe imoralitetit që keni grumbulluar nga e kaluara deri në të tashmen. Dijeni dhe mbani në mend këtë: Presidenti Recep Tayip Erdogan kurrë nuk do të ecë vetëm”, u shpreh ai.

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin, gjithashtu dënoi revistën franceze “Charlie Hebdo”, e cila botoi një “të ashtuquajtur karikaturë” që synonte Presidentin Erdogan.

“Ne dënojmë me forcë botimin për presidentin tonë në revistën franceze, e cila nuk ka respekt për asnjë lloj besimi, të shenjte dhe vlere. Ata zbulojnë vetëm varësinë (vulgaritetin) dhe imoralitetin e tyre. Sulmi ndaj të drejtave individuale nuk është humor/satirë dhe liri e shprehjes”, shkroi ai në “Twitter”.

Po ashtu zëdhënësi Kalin ftoi të gjithë njerëzit me “arsye të shëndoshë për të dënuar dhe refuzuar këtë botim të neveritshëm”.

Një reagim i fortë për këtë çështje erdhi edhe nga drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun.

“Ne dënojmë përpjekjen e neveritshme të kësaj reviste për të përhapur racizëm dhe urrejtje kulturore. Këto të ashtuquajtura karikatura janë sa të neveritshme aq edhe pa moral njerëzor. Ky është qartësisht produkt i mjedisit kulturor ksenofob, islamofob dhe intolerant që udhëheqësi francez dëshironte për vendin e tij”, deklaroi ai përmes rrjetit social “Twitter”.

Pasi theksoi se Turqia shpalos qartë kundërshtinë e saj për çdo lloj dhune kundër civilëve dhe çdo lloj veprimi terrorist të kryer në emër të Islamit, Altuni shtoi: “Provokimet raciste, ksenofobe islamofobe dhe antisemitiste nuk do të na nxisin dot neve që të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Presidenti ynë do të vazhdojë të jetë zëri i ndërgjegjes globale. Turqia do të forcohet, fashizmi dhe fashistët do të humbasin. Ne i ftojmë të gjithë miqtë e arsyeshëm evropianë që të luftojnë kundër një racizmi kulturor primitiv, shterpësie intelektuale dhe retorizmi të paqytetëruar të këtillë.”

Tjetër reagim ndaj revistës franceze ishte edhe ai i zëdhënësit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik.

“Kjo mendësi ka arritur një nivel të neveritshëm, shkroi ai në “Twitter”.

Duke vënë në pah se qëndrimi i palëkundur i Presidentit Erdogan do të vazhdojë të mposhtë në tavolinë dhe në terren imoralitetin hipokrit të këtij fronti të urrejtjes, zyrtari i AK Partisë ftoi të gjithë ata që kanë respekt për besimet, të dënojnë botimin e urrejtjes në fjalë.



Lajme të ngjashme