Ibrahim Kalin: Dorëheqja e Fayez al-Sarraj nuk ndikon marrëveshjet Turqi-Libi

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin, deklaroi të hënën se vendimi për dorëheqje i Kryeministrit të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, Fayez al-Sarraj, nuk do të ndikojë marrëveshjet e bëra me Turqinë.

1494618
Ibrahim Kalin: Dorëheqja e Fayez al-Sarraj nuk ndikon marrëveshjet Turqi-Libi

“Këto marrëveshje nuk preken nga ky proces politik, sepse këto janë vendime të qeverisë, jo të personave. Vendimet e marra nga Këshilli Presidencial e ruajnë njësoj vlefshmërinë e tyre”, theksoi Kalin lidhur me zhvillimet e fundit në Libi.

Sa i përket vendimit të Sarrajit për të dhënë dorëheqjen nga posti i tij në krye të GNA-së, zyrtari turk bëri këtë vlerësim: “Z. Sarraj tha në deklaratën e tij se mund të dorëzojë postin për t'u dhënë një shans përpjekjeve që po bëhen për këshillin dhe presidencën, si dhe për të mundësuar një përparim më të shëndoshë të tyre. Edhe në bisedat që ne kemi realizuar me të, ai na ka njoftuar se mund të ndjekë një rrugë të tillë ndoshta për të kontribuuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe më të shëndoshë teksa atje shkohet drejt një ristrukturimi. Sidoqoftë, Këshilli Presidencial dhe Parlamenti janë atje dhe sigurisht që kontaktet tona me z. Sarraj do të vazhdojnë.”

Ibrahim Kalin vuri në pah gjithashtu se në Mesdheun Lindor mund të zhvillohet një perspektivë energjetike e drejtë dhe shpërndarëse me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve bregdetare.

“Ne jemi pro fillimit të një konference, takimi ose procesi të platformës energjetike të ndershme dhe shpërndarëse me pjesëmarrjen e vendeve bregdetare në Mesdhe. Presidenti ynë tashmë ua ka përcjellë këtë bashkëbiseduesve të tij. Kjo çështje do të vijë përsëri në rend të ditës po ashtu në bisedimet që me shumë mundësi do të realizohen javën e ardhshme edhe me presidentin e Bashkimit Evropian, edhe me znj. Merkel. Ne e shohim atë pozitivisht, sepse nëse ka pasuri edhe në vendet që përshkruhen si hapësira apo zona të diskutueshme, ato mund të ndahen. Rrjedhimisht ne mund t'i kthejmë burimet energjetike të Mesdheut Lindor në një burim dhe vlerë në dobi të çdo vendi”, u shpreh ai.

Kalin u ndal edhe mbi hapat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kohëve të fundit në drejtim të Administratës Grekoqipriote.

“Këto hapa të njëanshme të SHBA-së nuk kontribuojnë në proces. Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit në pjesën grekoqipriote pas heqjes së embargos së armëve duke mos kaluar në anën turke dhe duke mos kontaktuar me ata atje, është një qëndrim shumë i njëanshëm, unilateral dhe jokontribuues. Deklaratat e zyrtarëve amerikanë se «nuk duhet të ketë tension në rajon, por duhet të ketë ndarje të drejtë», duhet të mbështeten me veprime konkrete. Nëse SHBA-ja do të kontribuojë këtu dhe të luajë një rol të drejtë e të paanshëm, këtë nuk mund ta bëjë duke marrë parasysh vetëm opinionet e njërës pale, pra, të palës grekoqipriote, apo duke kontaktuar vetëm me palën greke. Ajo duhet të kontaktojë patjetër edhe palën turke”, nënvizoi zëdhënësi Kalin mes të tjerash.



Lajme të ngjashme