Berat Albayrak: Lëvizjet e kapitalit prekin Turqinë po aq sa vendet e tjera

Ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak, deklaroi të mërkurën se Turqia është e prekur nga lëvizjet globale të kapitalit po aq sa edhe vendet e tjera.

1472226
Berat Albayrak: Lëvizjet e kapitalit prekin Turqinë po aq sa vendet e tjera

 

“Turqia preket shumë më pak sesa më parë nga paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit”, tha Albayrak gjatë një transmetimi televiziv në një kanal privat.

Ai theksoi gjithashtu se vendi po i administron luhatjet në një mënyrë të kontrolluar.

Sipas tij, me rëndësi nuk është niveli i kursit të këmbimit, por nëse ai është konkurrues.

Albayrak shtoi se operacionet e perceptimit me qëllim të keq nuk funksionojnë më në Turqi, pasi vendi ka kaluar tashmë në një “model (ekonomie) të pavarësisë kombëtare”.

Duke tërhequr vëmendje mbi rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në maj dhe qershor, ministri i Thesarit dhe Financave potencoi se Turqia do të jetë ndër vendet më pak të goditura në tremujorin e dytë të këtij viti për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Ne do të jemi një prej vendeve që do të normalizohen dhe rikuperohen më shpejt në botë”, u shpreh ai.

Në tremujorin e parë të vitit 2020, ekonomia turke shënoi një rritje me 4,5% në bazë vjetore, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Turqisë, ndërkohë që rasti i parë me COVID-19 në vend u konfirmua në fund të tremujorit të parë.

Të gjitha të dhënat ekonomike tregojnë se rimëkëmbja ekonomike e Turqisë është në një fillim të fortë pas heqjes së kufizimeve.

“Në kundërshtim me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare që tregojnë një tkurrje mbi 5%, ne presim që ekonomia turke të rritet nga minus 2% deri plus 1% këtë vit, mbi mesataren botërore”, potencoi Albayrak mes të tjerash.



Lajme të ngjashme