Fahrettin Altun: Turqia është shndërruar në një qendër graviteti prestigjioze

Drejtori i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, deklaroi të shtunën se Turqia ka bërë progres mjaft serioz në shumë fusha, nga shëndetësia në transport dhe nga arsimi në siguri, duke u shndërruar në një qendër graviteti prestigjioze.

1469428
Fahrettin Altun: Turqia është shndërruar në një qendër graviteti prestigjioze

 

Altun mbajti një fjalim në aktivitetin virtual të organizuar nga Universiteti “Ibn Haldun”, Universiteti Teknik i Stambollit dhe Universiteti i Shkencave Mjekësore.

“Bota sot është shumë ndryshe nga 20 vite më parë. Paradigma oksidentaliste, e ushqyer nga koncepti i kolonizimit dhe okupimit faktik të shoqërive ndryshe prej tij, pasi arriti kulmin në shekullin XIX, sot përballet me një sfidë shumë serioze”, tha shefi i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë.

Duke theksuar se teoritë që pozicionojnë Perëndimin si subjekt dominues dhe superior, e kanë humbur epërsinë e tyre në një masë të madhe, Altun vijoi me këto fjalë: “Ne shohim që rendi 200-vjeçar, në të cilin Perëndimi shfrytëzoi shoqëritë joperëndimore, tani ka filluar të ndryshojë.”

Pavarësisht zhvillimeve rajonale e ndërkombëtare, sfidave, ulje-ngritjeve dhe lëkundjeve në 20 vitet e fundit – potencoi ai – Turqia ka gjetur shansin të veprojë në emër dhe për llogari të saj.

Sipas tij, Turqia është transformuar fillimisht në një fuqi rajonale dhe pastaj në një aktor global në fusha të tilla si politika e jashtme, ekonomia dhe siguria.

“Nën lidershipin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, Turqia ka bërë progres mjaft serioz në shumë fusha, nga shëndetësia në transport dhe nga arsimi në siguri, duke u shndërruar në një qendër graviteti prestigjioze. Gjatë procesit të pandemisë së koronavirusit, në të cilin e gjithë bota po paguan fatura të majme, Turqia po e kalon sprovën me sukses duke ndihmuar edhe mbi 100 vende”, përfundoi Altun.



Lajme të ngjashme