Ibrahim Kalin: Turqia të vazhdojë të mbështesë qeverinë legjitime në Libi

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin, deklaroi të mërkurën se Turqia do të vazhdojë të mbështesë qeverinë legjitime të Tripolit në Libi.

1451574
Ibrahim Kalin: Turqia të vazhdojë të mbështesë qeverinë legjitime në Libi

“Turqia po punon për të vendosur stabilitetin në rajon duke përfshirë mbështetjen e qeverisë legjitime të Libisë, pasi siguria e Turqisë është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e fqinjëve të saj dhe me çështjet në Mesdhe”, tha Kalin për Agjencinë Anadolli (AA) duke shpjeguar se si në epokën aktuale siguria kombëtare nuk mund të garantohet vetëm brenda kufijve kombëtarë, pasi siguria është çështje globale.

Sipas tij, kur bëhet fjalë për sigurinë e Turqisë, bëhet fjalë edhe për sigurinë e Irakut, sigurinë e Iranit, të gjitha shteteve fqinje dhe çështjet në Mesdhe.

“Libia është fqinji ynë detar përtej Mesdheut” tha Kalin duke theksuar gjithashtu se si lokacioni gjeografik i Turqisë shtrihet deri në Azinë Qendrore, nga Lindja e Mesme në Afrikën e Veriut dhe Kaukaz.

Ai tërhoqi vëmendjen se kriza, tensioni, përplasja ose lufta më e vogël në këto rajone do të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e Turqisë dhe ndikimi mund të vijë në formën e terrorizmit, emigracionit apo diçka tjetër, ndërsa shtoi se vendi e ka parë këtë “kaq herë”.

“Çështjet në Libi kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sigurinë e Mesdheut dhe të NATO-s”, vuri në dukje Kalin.

Libia është përfshirë nga një luftë civile që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në 2011. Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të një sulmi nga forcat e armatosura ilegale nën urdhrat e puçistit Khalifa Haftarit, me seli në lindje të vendit.

OKB-ja e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritetin e vetëm legjitim të vendit, ndërkohë që Tripoli zyrtar lufton me milicinë e Haftarit.

Në një kundërofensivë ndaj sulmeve të Haftarit në kryeqytetin Tripoli të vendit dhe gjetkë, forcat qeveritare çliruan kohët e fundit disa zona strategjike duke përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin Tarhuna, fortesa e fundit e Haftarit në perëndim të Libisë.

Sa i përket qëllimit të pranisë së Turqisë në Libi, zëdhënësi Kalin tha se vendi i tij dhe Libia nënshkruan dhjetorin e kaluar Marrëveshje për Bashkëpunim në Fushën Ushtarake dhe të Sigurisë, në kuadër të së cilës po mbështesin qeverinë legjitime libiane të njohur nga OKB-ja.

“Të mos ishte ndërhyrja vizionare e presidentit tonë, përleshjet në Libi do të thelloheshin edhe më shumë, do të vdisnin më shumë njerëz dhe ndoshta përçarja e Libisë do të ishte e pashmangshme”, theksoi ai duke shtuar se për shkak të qëndrimit agresiv të palës së udhëhequr nga Haftari ndaj qeverisë Sarraj, ka lindur një e drejtë për vetëmbrojtje dhe se bashkëpunimi mes qeverive turke e libiane në këtë drejtim është duke vazhduar në mënyrë intensive.

Kalin shpjegoi edhe se po tregojnë në çdo platformë që zgjidhja nuk është ushtarake por politike, ndërsa potencoi se pala e Haftarit ka shkelur të gjitha marrëveshjet, armëpushimet dhe bisedimet paqësore që prej një viti e gjysmë nga Marrëveshja e Abu-Dabit në prill 2019.

Ai tërhoqi vëmendjen se të gjitha armëpushimet dhe thirrjet për paqe të Haftarit kanë rezultuar periudha përgatitore për çdo sulm të ardhshëm të palës së tij.

Zëdhënësi presidencial turk vuri në pah gjithashtu se vetëm në 6 muajt e kaluar, për shkak të bllokimit të fushave të naftës dhe gazit natyror të Libisë nga Haftari, vendi ka pësuar një humbje kombëtare që shkon deri në 5 miliardë dollarë, ndërkohë që kjo shumë arrin në mbi 250 miliardë dollarë prej vitit 2011.



Lajme të ngjashme