Turqia solidarizohet me frontin e bashkuar të Palestinës kundër Izraelit

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin, shprehu të premten solidaritetin e Turqisë me frontin e bashkuar të palestinezëve kundër planit izraelit për aneksimin e pjesëve të mëdha të Bregut Perëndimor të pushtuar.

1448300
Turqia solidarizohet me frontin e bashkuar të Palestinës kundër Izraelit

“Ne mbështesim plotësisht vendimin e partive politike palestineze për t'u bashkuar kundër planit të paligjshëm izraelit të aneksimit”, tha Kalin në një deklaratë të shkruar në lidhje me planin izraelit në fjalë.

Aneksimi ishte planifikuar të shpallej nga Kryeministri Benjamin Netanyahu të mërkurën, por një pasiguri e madhe po e rrethon pozicionin e tij nën dritën e refuzimit të gjerë ndërkombëtar të planit, si dhe luhatjeve në administratën amerikane për zbatimin e këtij synimi kontradiktor.

Kalin tha se besojnë se fronti i bashkuar i popullit palestinez kundër përpjekjes izraelite të aneksimit do ta bëjë të përhershme frymën e nevojshme të pajtimit, unitetit dhe solidaritetit kombëtar.

Ai ritheksoi se planet e Izraelit shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe se kjo nismë s'ka asnjë bazë ligjore.

“Bota duhet të reagojë në mënyrën më të ashpër të mundshme dhe të hedhë poshtë politikat e reja të Izraelit për të pushtuar dhe rrëmbyer tokat duke mbështetur popullin palestinez”, tha zëdhënësi Kalin duke shtuar se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit palestinez në kauzën e tij të drejtë e legjitime.

Lëvizjet Hamas dhe Fatah mbajtën të premten herët një konferencë të përbashkët, ku palët ranë dakord për të unifikuar përpjekjet kundër aneksimit.

Dy fraksionet politike palestineze kanë pasur mosmarrëveshje që kur Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës në mesin e vitit 2007, pas përleshjeve disaditore.



Lajme të ngjashme