Turqia reagoi ndaj vendimit të Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve të reja

Përmes një komunikate të shkruar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Turqia ka reaguar ndaj vendimit të Izraelit për të zgjeruar vendbanimet e paligjshme çifute në territoret e pushtuara palestineze.

1412622
Turqia reagoi ndaj vendimit të Izraelit për ndërtimin e vendbanimeve të reja

"Njoftimi i Ministrit izraelit të Mbrojtjes, Naftali Bennett se vendbanimi i paligjshëm Efrat në Bregun Perëndimor të okupuar do të zgjerohet në mënyrë që të lejojë ndërtimin e mijëra banesave shtesë është shembulli i fundit i qasjes moskokëçarëse të Izraelit që nuk njeh asnjë ligj”,- thuhet në një deklaratë të shkruar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë.

“Për llogari të politikës së brendshme Izraeli vazhdon të grabisë të drejtat e popullit palestinez madje edhe në këtë periudhë të ndjeshme, kur pandemia e llojit të ri të koronavirusit (Covid-19) ka prekur të gjithë botën dhe kur ka më shumë nevojë për paqe dhe stabilitet. Izraeli vazhdon ta thellojë çdo ditë e më shumë politikën e tij okupuse dhe persekutuese në Palestinë”,- vijon komunikata.

“Ndërprerja e menjëhershme e praktikave të paligjshme të Izraelit, i cili përmes zgjerimit të vendbanimeve të paligjshme në territoret palestineze synon të shkatërrojë vizionin e zgjidhjes me dy shtete, është thelbësore për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Ne e refuzojmë edhe një herë me forcë këtë vendim të njëanshëm të Izraelit që shpërfill të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht rezolutat e Kombeve të Bashkuara, dhe ritheksojmë se ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë popullit vëlla palestinez dhe kauzës palestineze”,- përfundon komunikata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Bennett kishte aprovuar ndërtimin e 7.000 banesave shtesë në një vendbanim ilegal të hebrenjve në Bregun Perëndimor, që Izraeli e mban të okupuar.

 


Lajme të ngjashme