Turqia 68 vite në NATO – Stoltenberg: Një anëtare shumë e çmuar e familjes transatlantike

Turqia feston të martën 68-vjetorin e anëtarësimit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), aleancë ushtarake në të cilën jep kontribute të rëndësishme.

1361194
Turqia 68 vite në NATO – Stoltenberg: Një anëtare shumë e çmuar e familjes transatlantike

Në një intervistë të hënën me korrespondentin e Agjencinë Anadolli (AA) me rastin e përvjetorit të anëtarësimit të Turqisë në NATO, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, tha se “Turqia është një anëtare shumë e çmuar e familjes transatlantike prej tashmë 68 vitesh”.

Ai tërhoqi vëmendjen se Turqia është një prej vendeve që kontribuojnë më shumë në misionet dhe operacionet e NATO-s në vende si Afganistani, Kosova dhe Iraku.

“Turqia rezulton vendi aleat më i prekur nga paqëndrueshmëria, dhuna dhe trazirat në Lindjen e Mesme, por edhe më i godituri nga sulmet terroriste”, theksoi Stoltenberg.

“Në këtë përvjetor të anëtarësimit në NATO, unë e falënderoj Turqinë për mbështetjen e saj të vyer dhe të vazhdueshme për Aleancën. Turqia do të vijojë të jetë anëtare e fuqishme dhe e çmuar e NATO-s”, shtoi ai.

Turqia u anëtarësua në NATO në vitin 1952, ndërkohë që organizata ishte krijuar në vitin 1949 me nënshkrimin e Traktatit të Uashingtonit nga 12 shtetet anëtare themeluese.

Si anëtare e 13-të e Aleancës, Turqia e firmosi protokollin e anëtarësimit në NATO më datë 17 tetor 1951.

Ndërsa anëtarësimi zyrtar u realizua së bashku me Greqinë më 18 shkurt 1952.

Krahas anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me statusin e vendit themelues në vitin 1945, anëtarësimi në NATO gjithashtu filloi të ketë një rëndësi të veçantë për Turqinë, prioritet i politikës së jashtme të së cilës pas Luftës II Botërore ishte afrimi me botën perëndimore.


Fjalët Kyçe: #Jens Stoltenberg , #NATO , #Turqia

Lajme të ngjashme