Çavusoglu në OBI: Deklarata e Netanyahut është e turpshme

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavuşoğlu, e quajti si "të turpshëm" qëllimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të aneksuar pjesë të mëdha të tokave të pushtuara në Bregun Perëndimor.

1269785
Çavusoglu në OBI: Deklarata e Netanyahut është e turpshme

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavuşoğlu, e quajti si "të turpshëm" qëllimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të aneksuar pjesë të mëdha të tokave të pushtuara në Bregun Perëndimor.

Çavuşoglu mori pjesë në takimin emergjent të ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) të mbajtur në Xhide të Arabisë Saudite, ku u diskutua deklarata e kryeministrit izraelit për aneksimin e territoreve të pushtuara.

"Kjo deklaratë e turpshme është një përpjekje e ulët për të fituar disa vota më shumë në zgjedhjet e ardhshme në koston e shkatërrimit të shpresave për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme", tha kryediplomati turk.

Në fillim të kësaj jave, Netanyahu, duke u bërë thirrje votuesve të tij përpara zgjedhjeve të parapara për 17 shtator, tha: "Unë njoftoj qëllimin tim për të zbatuar sovranitetin e Izraelit mbin Luginën e Jordanit dhe Detin e Vdekur, nëse qytetarët izraelitë më zgjedhin mua".

Shefi i diplomacisë turke tha se okupimi i Izraelit në territoret palestineze ka shkaktuar dëme të mëdha në jetën e përditshme të palestinezëve.

Ai theksoi se Izraeli, i inkurajuar me mbështetjen e disa vendeve, vazhdon me politikat agresive që kanë filluar të shndërrohen në një regjim racist aparteid, duke i bërë thirrje botës islame të solidarizohet me çështjen palestineze.

"Sikur i tërë umeti të reagonte në mënyrë të zëshme dhe së bashku, atëherë këto plane, politika dhe sjellje të pamatura të SHBA-së dhe Izraelit nuk do të vinin në këtë pikë", deklaroi Çavuşoğlu.

Afërsisht 70.000 palestinezë, së bashku me rreth 9.500 banorë hebrenj, aktualisht jetojnë në Luginën e Jordanit, e cila është një tokë e madhe dhe pjellore, që përbën afërsisht një të katërtën e territorit të përgjithshëm të Bregut Perëndimor.

Turqia, Liga Arabe dhe vendet evropiane janë shprehur të shqetësuara nga deklarata e Netanyahu, ndërkohë që zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Stephane Dujarric ka thënë se plani i aneksimit do të shkelte të drejtën ndërkombëtare.

E drejta ndërkombëtare e cilëson Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor si "territore të pushtuara" dhe i konsideron të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve kolone hebreje atje si të paligjshme. Anadolu Agency (AA)

 


Lajme të ngjashme