Asetet e jashtme të Turqisë arrijnë në 239,4 miliardë dollarë në qershor

Asetet e jashtme të Turqisë arritën në 239,4 miliardë dollarë në muajin qershor të këtij viti duke shënuar një rritje me 4,5 për qind në krahasim me fundin e 2018-s.

Asetet e jashtme të Turqisë arrijnë në 239,4 miliardë dollarë në qershor

Banka Qendrore e Republikës së Turqisë (TCMB) publikoi ditën e enjte të dhënat mbi Pozicionin Neto të Investimeve Ndërkombëtare (NIIP) për periudhën qershor 2019.

Sipas këtyre të dhënave, detyrimet ndaj jorezidentëve janë 578,2 miliardë dollarë, një rënie me 3,2 për qind gjatë periudhës në fjalë.

“NIIP-ja, e cila tregon diferencën ndërmjet pretendimeve dhe detyrimeve të një ekonomie ndaj jorezidentëve, shënoi minus 338,8 miliardë dollarë në fund të qershorit 2019, në krahasim me minus 368,3 miliardë dollarë të vërejtur në fund të 2018”, tha Banka Qendrore e Turqisë.

Pozicioni Neto i Investimeve Ndërkombëtare, një e dhënë që mund të jetë pozitive ose negative, është vlera e aktiveve jashtë shtetit në pronësi të një vendi, minus vlerën e aktiveve të brendshme në pronësi të të huajve, përfshirë aktivet dhe detyrimet e huaja që zotërohen nga qeveria e një shteti, sektori privat dhe qytetarët e tij.

Asetet rezervë të vendit u rritën me 3,5 për qind duke arritur në 96,3 miliardë dollarë, ndërsa investimet e tjera arritën në 93,4 miliardë dollarë duke u rritur 5,3 për qind në krahasim me fundin e vitit 2018.

Valuta dhe depozitat e bankave, një nga nënartikujt e investimeve të tjera, arritën në 48,5 miliardë dollarë duke shënuar një rritje prej 8,5 për qind në të njëjtën periudhë kohore.

“Sa i përket nënartikujve të detyrimeve, investimet e drejtpërdrejta në fund të qershorit 2019 u realizuan në 131,4 miliardë dollarë duke shënuar një rënie me 8,4 për qind në krahasim me fundin e vitit të kaluar, me kontributin e ndryshimeve në vlerat e tregut dhe kurset e këmbimit të valutës së huaj”, theksoi TCBM-ja.

Të dhënat treguan se stoku i përgjithshëm i huamarrësve të jashtëm ra në 75,6 miliardë dollarë që nga fundi i qershorit, një rënie me 7,5 për qind në krahasim me fundin e vitit të kaluar.

Gjithnjë sipas Bankës Qendrore turke, totali i stokut të kredisë së jashtme të sektorëve të tjerë u realizua në 102,7 miliardë dollarë duke rënë me 3,4 për qind.



Lajme të ngjashme