Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet sot nën drejtimin e Presidentit Erdogan

Këshilli i Sigurisë Kombëtare (MGK) do të mblidhet të martën në Ankara nën drejtimin e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan).

Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet sot nën drejtimin e Presidentit Erdogan

Një nga çështjet prioritare që do të trajtohet në mbledhje ka të bëjë me përgatitjet që vazhdojnë për operacionin e mundshëm në lindje të lumit Eufrat në Siri.

Gjithashtu do të diskutohen edhe kontaktet që pati javën e kaluar në Ankara Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Sirinë, James Jaffrey.

Do të vlerësohen aktivitetet e grupit të punës që është krijuar ndërmjet delegacioneve ushtarake turke dhe amerikane për krijimin e një Zone të Sigurt (për civilët) ne kufirin me Sirinë.

Gjithashtu Këshilli i Sigurisë Kombëtare në mbledhjen e të martës do të rishikojë edhe procesin e dorëzimit të sistemit të mbrojtjes ajrore me raketat S-400, që Turqia i ka blerë nga Rusia dhe dorëzimi i të cilave ka filluar më 12 korrik.

Pritet që të vlerësohen edhe vendet e mundshme ku do të instalohen sistemet S-400, ndërkohë që deri më tani është marrë në dorëzim bateria e parë.

Në mbledhje do të trajtohen edhe kundërhapat që do të hidhen ndaj sanksioneve që mund të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për shkak të blerjes së sistemeve ruse S-400.

Në këtë kuadër do të përcaktohet plani i veprimit që do të ndiqet në rast të përjashtimit të Turqisë nga programi i avionit luftarak F-35.

Një çështje tjetër që do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare (MGK) ka të bëjë me fazën e arritur në punimet e sondimit dhe kërkimit që anijet turke vazhdojnë në Mesdheun Lindor.



Lajme të ngjashme