Përfundon dërgimi i grupit të parë të sistemeve S-400 nga Rusia në Turqi

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë njoftoi se të mërkurën ka përfunduar dërgimi i grupit të parë të komponentëve të sistemeve S-400, proces që pati filluar më 12 korrik.

Përfundon dërgimi i grupit të parë të sistemeve S-400 nga Rusia në Turqi

Ka përfunduar dërgimi i grupit të parë të sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 që Turqia ka blerë nga Rusia.

Detajet mbi çështjen u ndanë me publikun në mbledhjen informuese të përmuajshme që u mbajt të enjten në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare.

Sipas Ministrisë, të mërkurën ka përfunduar dërgimi i grupit të parë të komponentëve të sistemeve S-400, proces që pati filluar më 12 korrik.

Pjesët e sistemeve mbërritën me 30 avionë në Aeroportin Ushtarak “Murted” të Ankarasë.

Këto sisteme do t’i dorëzohen Turqisë në 3 grupe dhe faza e dytë e dërgimit do të realizohet në të njëjtin vend.

Gjatë mbledhjes informuese u njoftua gjithashtu se në kuadër të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Turqia do të sigurojë nga Franca një bateri të sistemit të mbrojtjes ajrore Samp-T, e cila do të dislokohet në kufirin jugor të vendit.

Pjesë e agjendës së mbledhjes ishte edhe zona e sigurt që planifikohet të formohet në veri të Sirisë.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare theksoi edhe një tjetër herë se fuqia e vetme që do të kontrollojë këtë zonë, është ushtria turke.

Duke tërhequr vëmendjen se nuk janë përmbushur pritjet në lidhje me Udhërrëfyesin për Menbixhin, Ministria potencoi se delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu komunikua vendosmëria për operacionin e mundshëm ushtarak kundër organizatës separatiste terroriste YPG/PKK në lindje të lumit Eufrat.

Gjatë mbledhjes informuese u tha gjithashtu se në operacionet e 3 muajve të fundit brenda vendit dhe në veri të Irakut janë neutralizuar gjithsej 489 terroristë të PKK-së, mes të cilëve edhe 24 të ashtuquajtur liderë të kuadrit drejtues të organizatës separatiste terroriste.



Lajme të ngjashme