Turqia dhe Koreja e Jugut synojnë rritjen e ekuilibruar të vëllimit tregtar ndërmjet tyre

Ministrja e Tregtisë së Turqisë, Ruhsar Pekcan, realizoi në kryeqytetin Paris të Francës një takim me homologen e saj koreanojugore, Yoo Myung-Hee.

Turqia dhe Koreja e Jugut synojnë rritjen e ekuilibruar të vëllimit tregtar ndërmjet tyre

Pekcan, e cila shkoi në Paris për të marrë pjesë në Takimin e Këshillit të Ministrave të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), takua me ministren e Tregtisë së Koresë së Jugut në selinë e organizatës në fjalë.

Në këtë takim, zhvilluar pa praninë e gazetarëve, u bisedua për rritjen e ekuilibruar të vëllimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

Siç bën të ditur Ministria e Tregtisë përmes një komunikate të shkruar, Pekcan dhe Myung-Hee kanë diskutuar për hapat që mund të bëhen për reduktimin e deficitit tregtar të Turqisë me Korenë e Jugut dhe për aktivizimin e potencialit eksportues të Turqisë.

Pala turke theksoi se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet dy vendeve duhet të shfrytëzohet në mënyrë më efektive dhe paraqiti kërkesat e saj për zhvillimin e tregtisë në përgjithësi dhe të prodhimeve bujqësore në veçanti.

Gjatë takimit, ministrja Pekcan vuri në pah se tregtia ndërmjet dy vendeve ka arritur nivelin e 7,2 miliardë dollarëve në vitin 2018 dhe potencoi se duke marrë parasysh që rreth 10 për qind e deficitit tregtar të Turqisë buron nga Koreja e Jugut, një çështje parësore është rritja e eksportit nga tregjet e synuara drejt Koresë së Jugut.

Duke ftuar kompanitë koreanojugore për të investuar në Turqi, Pekcan tërhoqi vëmendjen se fushat e synuara në këtë kontekst mund të jenë sektorë si petrokimia, çeliku, panelet e televizorëve, bateritë elektrike, materiale e veshjes së fasadave të ndërtesave, aparatet mjekësore, telefonat celularë dhe panelet diellore.

Ministrja turke e Tregtisë theksoi gjithashtu se me Korenë e Jugut duhet të thellohet bashkëpunimi në projektet për transferimin e teknologjive si “blockchain” dhe inteligjenca artificiale në platformat tregtare.

Ndërsa ministrja koreane, Myung-Hee, tha se i kushtojnë rëndësi të madhe zhvillimit të tregtisë me Turqinë dhe në këtë suazë kanë rënë dakord për të vazhduar bashkëpunimin e ndërsjellë duke e rritur atë gjithnjë e më shumë.



Lajme të ngjashme