Çelik: Duhet të dënohet deklarata e zëdhënësit Palladino për zgjedhjet në Turqi

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik, deklaroi të enjten se asnjë organ apo deklaratë e ndonjë shteti të huaj nuk është burim legjitimiteti për rezultatet e procesit zgjedhor në Turqi.

Çelik: Duhet të dënohet deklarata e zëdhënësit Palladino për zgjedhjet në Turqi

“Deklarata e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit mbi procesin zgjedhor në Turqi është një komunikatë që duhet dënuar”, tha ai gjatë një konference për shtyp në selinë e AK Partisë në Ankara.

“Asnjë organ apo deklaratë e ndonjë shteti të huaj nuk është burim legjitimiteti për rezultatet e procesit zgjedhor në Turqi”, shtoi Çelik në një reagim ndaj komenteve të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Palladino, në lidhje me zgjedhjet lokale të 31 marsit në Turqi.

I pyetur rreth zgjedhjeve vendore në Turqi gjatë konferencës ditore për shtyp të mërkurën, Palladino qe shprehur me këto fjalë: “I pamë lajmet (për zgjedhjet në Turqi). Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë bazë për çdo demokraci; pra, esenciale është gjithashtu të pranohen rezultatet e ligjshme. Ne s’presim më pak as nga Turqia, e cila ka një traditë të gjatë dhe krenare në këtë aspekt.”

Omer Çelik u bëri një apel edhe përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, të cilët ishin në Turqi për zgjedhjet e fundjavës së kaluar.

“E drejta e qasjes, mekanizmat e informimit që jua kemi mundësuar juve, nuk janë kaq aktive dhe kaq të fuqishme në asnjë vend të botës”, u shpreh mes të tjerash zëdhënës i AK Partisë.



Lajme të ngjashme