Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Kalin: Turqisë nuk i duhet leja e Izraelit apo e ndonjë vendi tjetër për luftën kundër terrorit

Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin bëri të ditur se Turqia do të vazhdojë luftën kundër terrorizmit në mënyrën më të vendosur.

Kalin: Turqisë nuk i duhet leja e Izraelit apo e ndonjë vendi tjetër për luftën kundër terrorit

Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin bëri të ditur të hënën se Turqia do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit në mënyrën më të vendosur.

Zëdhënësi Kalin bëri deklarata të rëndësishme pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, që u kryesua nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Duke rikujtuar deklaratat e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu të drejtuara ndaj Presidentit Erdogan, zëdhënësi Kalin tha: “Ndoshta janë të kuptueshme sulmet ndaj Presidentit tonë dhe tentimet për të shpifur ndaj Forcave të Armatosura të Turqisë të bëra nga ana e Kryeministrit të Izraelit, Netanyahu, i cili është i mbingarkuar me akuzat për korrupsion. Përdorimi i një rruge të tillë për të tërhequr vëmendjen dhe për të krijuar një rend të ditës tjetër mund të jetë një mënyrë e përkohshme për të shpëtuar veten nga shqetësimet dhe problemet e brendshme".

Kalin tërhoqi vëmendjen se gjatë mandatit të Netanyahut kanë humbur jetën mbi 3 mijë palestinezë, në mesin e të cilëve mbi 700 janë gra dhe fëmijë, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Së pari Netanyahu duhet të japë llogari për këtë. A mos vallë Netanyahu ka simpati të fshehtë ndaj organizatës separatiste terroriste PKK? Sa herë që Turqia ndërmerr ndonjë operacion ndaj organizatave terroriste në Siri apo Irak, shohim se nga Izraeli, nga zyra e Kryeministrit del një zë. A mos vallë janë veprimet tona të ligjshme të vetëmbrojtjes kundër akteve terroriste ato që i ngacmojnë ata? Apo ndoshta qeveria, Kryeministri i Izraelit kanë lidhje të tjera sekrete me organizatën terroriste PKK? Këto pyetje duhet tu parashtrohen atyre që të zbardhen këto”.

Duke vënë në dukje se “Turqia do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit në mënyrën më të vendosur”,  zëdhënësi Kalin tha se nuk bëhet fjalë që për këtë të kërkojnë leje apo pëlqim as nga Izraeli, e as nga ndonjë shtet tjetër.

Kalin rikujtoi se punimet për të moslejuar që organizatat terroriste të marrin frymë lirshëm, do të vazhdojnë në mënyrë të vendosur dhe të koordinuar.

Zëdhënësi i Presidencës gjithashtu nënvizoi se do të vazhdohet edhe me punimet e sondazhit për gaz natyror dhe naftë në rajonin e Mesdheut Lindor, ndërsa rikujtoi se do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e turqve të Qipros në çdo platformë.

Duke vënë në dukje se vendimi i ShBA-së në lidhje me raketat Patriot nuk do të ndikojnë në asnjë mënyrë procesin e blerjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, zëdhënësi Kalin tha se procesi i S-400 tanimë ka përfunduar, ndërsa vijoi duke thënë që pranimin në dorëzim të baterive të para të këtij sistemi e presin në tetor të vitit 2019 dhe se këto dy sisteme nuk i shikojnë si alternativë për njëra-tjetrën.

Ibrahim Kalin theksoi se kufijtë e Turqisë janë shumë të mëdhenj, ndërsa vijoi duke thënë se “Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me sistemet S-400. Nga aspekti i sigurisë tonë ne mund të marrim dhe përdorim edhe sistemet Patriot. Këto të dyja nuk janë alternativë për njëra-tjetrën, por do të zhvillohen në mënyrë paralele si dy procese të ndara”.

Zëdhënësi shtoi se Presidenti Erdogan gjatë bisedës së fundit telefonike me Presidentin Donald Trump e ftoi këtë të fundit për të vizituar Turqinë dhe tha se “Presidenti i ShBA-së shprehu kënaqësinë nga ftesa dhe bëri të ditur se gjatë vitit 2019 do të mund të organizojë një vizitë. Tani duhet të punohet mbi datën e kësaj vizite dhe se realizimi i saj gjatë vitit 2019 do të jetë një zhvillim i kënaqshëm”.  

 


Lajme të ngjashme