Erdogan: Integriteti territorial i Moldavisë ka rëndësi jetike për Turqinë

Në konferencën e përbashkët me Kryetaren e Rajonit Autonom të Gagauzisë në Moldavi, Irina Vlah, Presidenti Erdoan tha se tërësia territoriale e Moldavisë ka një rëndësi jetike për Turqinë.

Erdogan: Integriteti territorial i Moldavisë ka rëndësi jetike për Turqinë

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) të enjten vizitoi rajonin autonom të Gagauzisë në Moldavi, ku ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore.

I shoqëruar nga homologu moldavian Igor Dodon, Erdoani në kryeqendrën e kësaj krahine, Komrat, u prit nga Presidentja e Gagauzisë, Irina Vlah dhe nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të kësaj krahine.

Pastaj Presidenti Erdoan vizitoi ndërtesën e Komitetit Ekzekutiv të Gagauzisë, ku zhvilloi një takim me Presidentin e Moldavisë Dodon dhe me Kryetaren e Rajonit Autonom të Gagauzisë, Irina Vlah.

Gjatë rrugës për në ndërtesën e Komitetit, Presidenti Erdoan përshëndeti qytetarët që kishin dalë për ta pritur.

Dy liderët dhe bashkëshortet e tyre, Emine Erdoan dhe Galina Dodon, pranuan lulet dhe bukën tradicionale me kripë, që ua dhuruan fëmijët gagauzianë të veshur me kostume tradicionale.

Pas takimit, Erdoan, Dodon dhe Vlah mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

“Tërësia territoriale e Moldavisë ka një rëndësi jetike për ne. E kemi nënvizuar përherë që ne si Turqi, ashtu si në të kaluarën edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të jemi pranë bashkëkombësve tanë. Por ajo që dëshirojmë ne të shikojmë këtu është që Gagauzia të vazhdojë përpjekjet e saj të zhvillimit krah për krah në unitet dhe solidaritet me Moldavinë”, tha Erdoan.

Jemi të lumtur teksa shikojmë që nga viti 1994 vullnetin e Moldavisë dhe Gagauzisë për të bashkëjetuar në paqe dhe qetësi, tha Erdoan dhe shtoi: “Ramë dakord për marrjen e masave konkrete për funksionimin ashtu siç duhet të autonomisë së Gagauzisë me mbështetjen e Zotit President Igor Dodon dhe qeverisë moldave dhe vendosmërinë e Zonjës Kryetare dhe autoriteteve gagauziane”.

 


Lajme të ngjashme