Presidenti Erdogan pritet me ceremoni zyrtare nga homologu hungarez, Janos Ader

I shoqëruar nga bashkëshortja Emine Erdogan dhe një delegacion me pjesëmarrje të gjerë, kreu i shtetit turk u prit nga homologu Ader dhe bashkëshortja e tij, Anita Herczegh, në Pallatin Presidencial në Budapest...

erdogan macaristan'da.jpg
erdogan macaristan'da.jpg
erdogan macaristan'da.jpg
erdogan macaristan'da.jpg

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Hungari, u prit me ceremoni zyrtare nga homologu i tij hungarez, Janos Ader.

I shoqëruar nga bashkëshortja Emine Erdogan dhe një delegacion me pjesëmarrje të gjerë, kreu i shtetit turk u prit nga homologu Ader dhe bashkëshortja e tij, Anita Herczegh, në Pallatin Presidencial në Budapest.

Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të dy vendeve, Erdogani dhe Aderi përshëndetën gardën e nderit dhe prezantuan delegacionet përkatëse. Krahas Zonjës së Parë Emine Erdogan, pjesë e delegacionit turk janë gjithashtu zëdhënësi i Presidencës Ibrahim Kalin, ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavusoglu, ministrja e Tregtisë Ruhsar Pekcan, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Mehmet Cahit Turhan, kreu i Departamentit të Komunikimit të Presidencës Fahrettin Altun dhe nënkryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim Cevdet Yilmaz.

Takimi kokë më kokë mes dy liderëve do të pasohet nga një takim mes delegacioneve.

Erdogani po qëndron në vizitë zyrtare dyditore në Hungari me ftesë të homologut të tij, Ader.

Sipas Presidencës turke, Erdogani po ashtu do të takohet me Kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Laszlo Kover dhe Kryeministrin Viktor Orban.

Zyrtarët do të diskutojnë mbi marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet Turqi-Bashkimi Evropian, emigracionin e parregullt dhe luftën kundër terrorizmit. Ata do të shkëmbejnë mendime edhe mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Presidenti Erdogan po ashtu pritet që të bëjë inaugurimin zyrtar të Varrit të Baba Gylit në Budapest, të marrë pjesë në një forum biznesi me Kryeministrin Orban, si dhe të realizojë një vizitë në Varrezat Përkujtimore të Budapestit.

Ankaraja dhe Budapesti gëzojnë marrëdhënie miqësore të bazuara në lidhjet historike dhe kulturore, aleancën e NATO-s dhe në bashkëpunimin e ngushtë në organizatat ndërkombëtare, sidomos në BE dhe Këshillin e Evropës, përfshi këtu edhe mbështetjen e Hungarisë për anëtarësimin e Turqisë në BE.



Lajme të ngjashme