Turqia dhe Franca bien dakord për të rritur lidhjet ekonomike

Turqia synon të rrisë tregtinë e saj me BE-në, tha të hënën në Paris ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak në konferencën e përbashkët me homologun e tij francez, Bruno Le Maire.

Turqia dhe Franca bien dakord për të rritur lidhjet ekonomike

Ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak tha se "Dollari, për fat të keq, e ka humbur statusin e tij si një instrument i besueshëm në tregtinë globale".

Berat Albayrak u takua në Paris me ministrin e Financave të Francës, Le Maire.

Pas takimit të dy ministrat organizuan një konferencë të përbashkët shtypi.

“Morëm vendim për të vepruar së bashku me Francën përballë hapave që marrin në shënjestër Turqinë”,- tha Berat Albayrak në fjalën e tij.

Me hapat e motivuara politikisht që kanë ndërmarrë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ia ulin prestigjin vetes,-theksoi Albayrak, duke tërhequr vëmendjen në rëndësinë qe ka fituar sot tregtia me euro.

“Situata globale e tregoi edhe një herë se hapat e hedhura e kanë tronditur imazhin e ShBA-së dhe këto hapa që ata hedhin mbi aleatët e çojnë ShBA-në drejt izolimit. Për fat të keq dollari po e humbet veçorinë e të qenit një instrument i besueshëm në tregtinë globale. Përballë një situate të tille bota nuk shikon zgjidhje tjetër përveç përparimit me një mendje racionale, me një qasje të përbashkët”,- u shpreh Albayrak, duke shtuar se Turqia me BE-në janë më shumë se asnjëherë tjetër të integruara me njëra-tjetrën.

Le Maire nga ana e tij tha se stabiliteti ekonomik i Turqisë dhe kompanive turke është i dobishëm për Francën, Evropën dhe të gjithë.

"Franca do të vazhdojë të mbështesë të gjitha kompanitë franceze që bëjnë dhe duan të zhvillojnë tregti me Turqinë," tha Le Maire.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) po kalojnë marrëdhënie të ashpra pas sanksioneve që Uashingtoni vendosi ndaj dy ministrave të kabinetit turk për moslirimin e një pastori amerikan, i cili përballet me akuza për terrorizëm në Turqi.

Më 10 gusht, Presidenti amerikan, Donald Trump, e rriti dozën e sulmit ndaj Turqisë duke dyfishuar tarifat doganore për importin e aluminit dhe çelikut turk. Si kundërpërgjigje, Turqia rriti më 15 gusht tarifat për disa produkte me origjinë amerikane, duke përfshirë alkoolin dhe produktet e duhanit dhe pajisjet elektronike.

 


Lajme të ngjashme