Turqi-Holandë, akord për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve dypalëshe

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ka bërë me dije se Turqia dhe Holanda morën vendim për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve dypalëshe...

Turqi-Holandë, akord për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve dypalëshe

Turqia dhe Holanda morën vendim për normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve dypalëshe.

Në një prononcim për media ditën e premte, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, tha se ka realizuar një takim me homologun e tij holandez, Stef Blok, në kuadër të Samitit të NATO-s javën e kaluar në Bruksel, ku kanë shfrytëzuar rastin për të marrë në shqyrtim veçanërisht ngjarjet e pakëndshme të 11 marsit 2017, të cilat sollën prishjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Shefi i diplomacisë turke bëri me dije se kanë arritur në përfundimin që shpresa, dëshira dhe gjithashtu vullneti i përbashkët i të dyja palëve është kapërcimi i ngërçit aktual, i cili dëmton marrëdhëniet shumëdimensionale të bazuara në partneritet strategjik.

“Homologu im holandez, i cili mori iniciativë nën dritën e vullnetit të zbuluar në këtë takim, për të bërë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve, më dërgoi një letër që konfirmon dëshirën për normalizimin e marrëdhënieve tona. Pas kësaj letre, ne realizuam edhe një bisedë telefonike dhe ramë dakord mbi hapat që do të bëhet për t’u hapur rrugën marrëdhënieve tona. Ne vendosëm të bëjmë një deklaratë të përbashkët si hap i parë në këtë kontekst. Ramë dakord që të emërojmë reciprokisht ambasadorët tanë brenda një kohe të shkurtër. Po ashtu ftova në vendin tonë homologun tim holandez, Blok, për të rindërtuar dialogun dhe besimin ndërmjet vendeve tona, si dhe për të përcaktuar udhërrëfyesin pasues që do të rikthejë ecurinë e dikurshme të marrëdhënieve tona bilaterale. Mund të them që edhe kjo vizitë do të realizohet së afërmi”, deklaroi Çavusoglu.

Duke rikujtuar se në Holandë jetojnë mbi 450 mijë turq, të cilët formojnë një komunitet të madh në këtë vend, ministri i Punëve të Jashtme theksoi se përgjatë rrugës së normalizimit të marrëdhënieve me Holandën, shtet që ka investimet e drejtpërdrejta më të mëdha në Turqi, do të veprojnë në përputhje me interesat kombëtare, siç kanë bërë gjithmonë në politikën e jashtme.

Çavusoglu vuri në pah se do të përcaktojnë një udhërrëfyes për ecurinë e mëpasshme të marrëdhënieve me Holandën.

Gjatë periudhës së referendumit popullor për ndryshimet kushtetuese vitin e kaluar në Turqi, qeveria holandeze pati anuluar lejen e aterrimit të avionit të ministrit Çavusoglu, i cili planifikonte të bënte një takim dhe bisedonte me qytetarët turq rezidentë në Holandë.

Më 11 mars 2017, autoritetet holandeze nuk patën lejuar ministren e atëhershme të Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë, Fatma Betul Sayan Kaya, të hynte në Konsullatën turke në Roterdam, patën ndaluar dhe shoqëruar në polici truprojat e saj, ndërsa ish-ministren e patën detyruar me eskortë policore që të shkonte në Gjermani.

Si kundërpërgjigje, Turqia i pati kërkuar që të mos kthehej në detyrë ambasadorit holandez në Ankara, i cili ishte jashtë shtetit në atë periudhë.

Që pas këtyre ngjarjeve, përfaqësimi diplomatik i të dyja vendeve mbahej reciprokisht në nivelin e të ngarkuarit me punë.



Lajme të ngjashme