“Der Spiegel”: Dyshimet mbi FETO-n po rriten gjithnjë e më shumë në Gjermani

Berlini nuk e konsideron më organizatën terroriste gyleniste (FETO) si grup të moderuar fetar dhe po merr më seriozisht paralajmërimet e Ankarasë, sipas të përjavshmes “Der Spiegel”...

“Der Spiegel”: Dyshimet mbi FETO-n po rriten gjithnjë e më shumë në Gjermani

Autoritetet gjermane po dyshojnë gjithnjë e më shumë në lidhje me organizatën terroriste gyleniste (FETO) dhe grupi nuk konsiderohet më si një sekt i moderuar fetar, raportoi të premten revista “Der Spiegel”.

Në numrin e saj të fundit, ky organ mediatik prestigjioz ka publikuar hulumtimin e publikuar në bashkëpunim me emisionin “Report Meinz”, i cili transmetohet në televizionin e parë gjerman, “ARD”

“Është e qartë se tek FETO, pas një fronti modern dhe laik, qëndron sistemi autoritar”, thekson raporti në fjalë.

FETO-ja qëndron pas një fushate të gjatë në Turqi për të marrë kontrollin e shtetit dhe krerët e saj orkestruan tentativën e dështuar për grusht shteti të 15 korrikut 2016, me pasojë 250 martirë dhe mbi 2.000 të plagosur.

“Der Spiegel” publikoi fragmente të shkurtra nga një raport i fundit konfidencial i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, ku një diplomat i lartë gjerman i referohet paralajmërimeve të një zyrtari turk dhe nënvizon karakterin e rrezikshëm të FETO-s.

“Pjesa konspirative e lëvizjes karakterizohet nga një hierarki strikte dhe struktura e saj i ngjan një grupi të krimit të organizuar”, thuhet në raport, sipas të përjavshmes.

Në të kaluarën, autoritetet gjermane nuk e konsideronin FETO-n si një kërcënim serioz për Gjermaninë dhe i lejuan grupit të ndërtonte një rrjet të madh në vend duke përfshirë biznese, shkolla ​​private dhe organizata mediatike.

Pavarësisht paralajmërimeve të Ankarasë, pas përpjekjes për grusht shteti në vitin 2016, autoritetet gjermane refuzuan të shpallin ilegal këtë grup në vend dhe argumentuan se një veprim i tillë mund të bëhej vetëm pas dëshmive konkrete për akte kundër ligjeve, kushtetutës dhe institucioneve të Gjermanisë.

Revista “Der Spiegel” njoftoi një ditë më parë se autoritetet gjermane po rishqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj FETO-s pas zbulimeve të fundit mbi aktivitetet e saj.

E përjavshmja gjithashtu botoi intervista me disa ish-anëtarë të FETO-s, që dhanë informacione rreth praktikave sekrete të organizatës për të fituar besimin në publik dhe për të rritur ndikimin e saj në institucionet kyçe.

Ish-anëtarët e FETO-s argumentuan se grupi kishte zhvilluar “struktura paralele” dhe pavarësisht imazhit demokratik dhe të moderuar të organizatës në publik, të gjitha vendimet merren në fakt nga udhëheqësit e saj me një hierarki strikte.

FETO-ja dhe udhëheqësi i saj rezident në SHBA, Fetullah Gulen, zhvilluan një fushatë të gjatë në Turqi që nga viti 1980 dhe veçanërisht u përpoqën të depërtojnë në institucionet kyçe shtetërore turke, me në krye ushtrinë, policinë dhe gjyqësorin.

Në Gjermani, vend ku jetojnë më shumë se 3 milionë turq, anëtarët e FETO-s janë përpjekur të shmangin kritikat publike dhe janë përqendruar në programet e “dialogut ndërfetar” duke iu përmbajtur mesazheve “të moderuara”, për të fituar besimin e mediave, kishave dhe institucione politike me influencë.

Ky rrjet kriminal pretendon të ketë rreth 70.000 ndjekës në tokën gjermane.

Rreth 4.000 anëtarë të dyshuar të FETO-s kanë mbërritur në Gjermani që nga tentativa puçiste e mposhtur në Turqi, sipas deklaratave të anëtarëve të organizatës terroriste në mediat lokale.



Lajme të ngjashme