Turqia konfirmon Bullgarinë si alternativë për linjën e dytë të Gazsjellësit Rryma Turke

“Putin më informoi se në bisedën telefonike që ka realizuar me Presidentin Erdogan, askush nuk i ka bërë opozitë idesë për zgjatjen e Rrymës Turke në Bullgari”, deklaroi Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov...

Turqia konfirmon Bullgarinë si alternativë për linjën e dytë të Gazsjellësit Rryma Turke

Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi të mërkurën se po konsultohen vazhdimisht me Turqinë për gjurmën e tubacionit që do të shtrihet në Evropë të Projektit Gazsjellës Rryma Turke.

Vladimir Putin informoi gazetarët pas takimit të realizuar në Moskë me Kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov.

Ai tha se në takimin e tij me kreun e qeverisë bullgare, mes të tjerash është marrë në shqyrtim edhe Projekti Gazsjellës Rryma Turke.

“Ne po konsultohemi vazhdimisht me partnerët tanë turq për gjurmën e tubacionit të projektit që do të shtrihet në Evropë. Dhe Bullgaria është një prej alternativave në këtë pikë. Këtë e konfirmoi edhe Presidenti Recep Tayyip Erdogan gjatë bisedës telefonike që ne realizuam dy ditë më parë. Jemi duke punuar konkretisht mbi këtë me miqtë tanë turq dhe bullgarë”, u shpreh Putin.

Lideri rus shpjegoi gjithashtu se detajet në lidhje me gazin natyror, që do të transmetohet në Evropë përmes Rrymës Turke, varen nga situata në pikat e tjera të transmetimit.

“Këto hollësi varen nga gjendja e përgjithshme e tërë pikave të transmetimit, të cilat ne i furnizojmë me burime energjetike në tregun evropian. Transmetimi i gazit nëpërmjet Ukrainës apo çështjet e lidhura me Projektin Rryma Veriore 2 (Nord Stream) mbeten ende të hapura”, shtoi ai.

Boyko Borisov, nga ana e tij shprehu aspiratën që linja e dytë gazsjellëse e Projektit Rryma Turke të shtrihet në Bullgari.

“Putin më informoi se në bisedën telefonike që ka realizuar me Presidentin Erdogan, askush nuk i ka bërë opozitë idesë për zgjatjen e Rrymës Turke në Bullgari”, theksoi shefi i Sofjes zyrtare.

Gazsjellësi “Rryma Turke”, i cili do të transmetojë gazin rus në Turqi dhe prej këtu në Evropë, do të ketë dy tubacione me kapacitet vjetor 15,75 miliardë m3 secili dhe shtrimi i tubave në det realizohet nga kompania “South Stream Transport B.V”, një degë e gjigantit rus të energjisë, Gazprom.

Bullgaria dhe Greqia vlerësohen si dy opsionet kryesore në mesin e itinerareve për shtrimin e linjës së dytë të Rrymës Turke.



Lajme të ngjashme