Yildirim: Presim më shumë pjekuri nga Greqia

Në një intervistë për gazetën greke “To Vima” Kryeministri Binali Jëlldërëm tha se presin që pala greke, përfshi këtu edhe median, të mbajnë një qëndrim më të pjekur ndaj marrëdhënieve me Turqinë.

975346
Yildirim: Presim më shumë pjekuri nga Greqia

Në lidhje me puçistët e arratisur në Greqi pas tentativës së grushtit të shtetit të 2016-ës, Kryeministri Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım) tha:

"Vendimi i Komisionit Grek të Azilit për të pranuar kërkesën e dy puçistëve në arrati ka qenë një tjetër burim zhgënjimi për ne, ndërkohë që mirëpresim apelin e qeverisë greke kundër këtij vendimi".

Marrëdhëniet mes dy vendeve Kryeministri Jëlldërëm i vlerësoi në një intervistë që i dha gazetës “To Vima” të Greqisë.

Në lidhje me puçistët e arratisur në Greqi pas tentativës së organizatës terroriste FETO për grusht shteti në 15 korrik 2016 dhe kërkesën e tyre për azil politik në këtë vend, Jëlldërëm tha:

"Këta ishin të përfshirë në mënyrë aktive në përpjekjen e grushtit të shtetit, që çoi në humbjen e jetës së njerëzve të pafajshëm dhe lëndimeve të shumë njerëzve. Ata morën në shënjestër presidentin e zgjedhur dhe kur e kuptuan se nuk do t’ia arrinin të përmbysnin dot qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, ky grup prej 8 vetë u arratis në mënyrë të paligjshme me një helikopter".

Duke vepruar në kundërshtim me parimet dhe normat e të drejtës ndërkombëtare dhe duke i lënë ata pa ndëshkim drejtësia greke shkeli të drejtat e viktimave të grushtit të shtetit,- u shpreh Kryeministri Jëlldërëm, ndërsa shtoi:

"Vendimi i Komisionit Grek të Azilit për të njohur të drejtën e azilit për 2 puçistët në arrati është një tjetër burim zhgënjimi dhe ne e mirëpresim apelin e qeverisë greke kundër këtij vendimi”.

Duke folur edhe për çështjen e dy ushtarakëve grekë të kapur për shkak të kalimit të kufirit turk në një zonë të ndaluar ushtarake, Jëlldërëm tha:

"Procedura që është ndjekur ndaj tyre është e njëjtë me atë që ndiqet ndaj çdo personi që shkel ligjet turke. Është e palogjikshme të presësh mbajtjen e një qëndrimi të privilegjuar ndaj këtyre ushtarëve. Autoritetet përkatëse po analizojnë regjistrimet digjitale në telefonat që kishin me vete ushtarët kur u kapën”.

Duke iu referuar konflikteve midis dy vendeve në Detin Egje, Jëlldërëm deklaroi se Greqia mban një qëndrim që e konsideron Egjeun si të ishte i tëri një det grek.

"Tensioni nuk mund të evitohet vetëm me përpjekjet e Turqisë, të dyja palët janë të vetëdijshme për ndjeshmëritë e palës tjetër. Mirëpo këtu duhet të kuptojmë se qetësia është në interes të të dyja palëve. Ti shmangesh krijimit të problemeve është tjetër gjë, të ndryshosh tezën është tjetër gjë. Ne presim që pala greke, përfshi këtu edhe median, të mbajnë një qëndrim më të pjekur”,- nënvizoi shefi i qeverisë së Ankarasë.

Duke theksuar se ai ka marrëdhënie të ngushta pune me Kryeministrin grek, Aleksis Cipras, Kryeministri Jëlldërëm tha se shmangia e tensioneve dhe dialogu i vazhdueshëm do të kontribuonin në përmirësimin e marrëdhënieve tona.

"Kur ra avioni luftarak (grek) në Egje, unë e mora menjëherë në telefon (Ciprasin) dhe i përcolla ngushëllimet. "Në vitin 2017 Greqinë e vizituan 921 mijë shtetas turq, ndërsa Turqia u vizitua nga 595 mijë grekë. Kapërcimi i paragjykimeve do të ndihmonte në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”,- u shpreh Kryeministri Jëlldërëm në vijim të intervistës për gazetën greke “To Vima”.

Jëlldërëm gjithashtu tha se një rol të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve midis të dy palëve luajnë edhe projektet energjetike si TANAP dhe TAP, përmes të cilave gazi natyror i Azerbajxhanit do të transportohet drejt Evropës.

Sa i përket çështjes së Qipros, Kryeministri Jëlldërëm tha se "grekët qipriotë nuk e ‘përtypin’ dot barazinë politike të turqve qipriotë". “Kjo është edhe arsyeja që nuk kanë dhënë rezultat përpjekjet e bëra që nga 1968”, theksoi Jëlldërëm, duke shtuar se zgjidhja do të kontribuojë në stabilitetin dhe prosperitetin e Mesdheut Lindor.

Lidhur me aktivitetin e njëanshëm të palës grekoqipriote për eksplorimin e hidrokarbureve në Mesdhe, Jëlldërëm tha:

"Kjo çështje është një shembull i qasjeve dritëshkurtra të qipriotëve grekë. Grekët sillen sikur i gjithë ishulli të ishte i tyre dhe injorojnë të drejtat e turqve. Turqia do të vazhdojë të mbrojë edhe të drejtat e turqve qipriotë, edhe të drejtat e saj”.



Lajme të ngjashme