Çavusoglu mesazh për Ditën e Evropës: BE-ja po u largohet vlerave themelore të saj

Përmes një mesazhi me rastin e 9 majit, datë në të cilën shënohet Dita e Evropës, shefi i diplomacisë turke shprehu keqardhje dhe shqetësim për fillimin e largimit të BE-së nga vlerat themelore të saj...

Çavusoglu mesazh për Ditën e Evropës: BE-ja po u largohet vlerave themelore të saj

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të mërkurën se Turqia, gjeografikisht dhe historikisht një vend evropian, kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e Evropës.

Shefi i diplomacisë turke publikoi një mesazh me rastin e 9 majit, datë në të cilën shënohet Dita e Evropës.

Duke rikujtuar se plot 68 vite kanë kaluar që nga Deklarata e Schumanit, e cila hodhi themelet e projektit të Evropës së bashkuar më datë 9 maj 1950, Çavusoglu vë në pah se Turqia, një pjesë e Evropës edhe në aspektin institucional, po bën përpjekjen e nevojshme në rrugën e anëtarësimit me të drejta të plota në Bashkimit Evropian.

Më tej, ministri i Jashtëm turk tërheq vëmendjen se gjatë viteve të fundit po vërehet me keqardhje dhe shqetësim fillimi i largimit të BE-së nga vlerat themelore të saj.

“Rrymat ekstreme si diskriminimi, ksenofobia dhe islamofobia janë duke gërryer kulturën dhe moton e Unionit: ‘Të bashkuar në diversitet’. Ato gjithashtu janë duke vënë në pyetje efektivitetin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të BE-së, e cila aspiron të bëhet një fuqi globale”, vlerëson Çavusoglu.

Situata në fjalë – vijon kryediplomati turk – po sjell zhgënjim dhe shqetësim në gjeografinë e gjerë evropiane që ndan vlerat e përbashkëta më BE-në.

Ai potencon se Turqia, si një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, uron që Unioni t’i kapërcejë sfidat aktuale të tij sa më parë të jetë e mundur.

“Në këtë kontekst, Turqia është e hapur për ide të çdollojshme bashkëpunimi të sinqertë dhe domethënës në përputhje me interesat tona të përbashkëta”, shkruan ministri Çavusoglu në fund të mesazhit të tij me rastin e Ditës së Evropës.



Lajme të ngjashme