Vitsas: Dialogu transparent me Turqinë, kusht i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve në ishuj

“Një prej kushteve të rëndësishme të zgjidhjes së problemeve në ishuj është komunikimi dhe dialogu transparent me Turqinë. Ne kemi një nivel të mirë bashkëpunimi me homologun turk”, deklaroi ministri grek i Politikave të Emigracionit, Dimitris Vitsas...

963441
Vitsas: Dialogu transparent me Turqinë, kusht i rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve në ishuj

Ministri grek i Politikave të Emigracionit, Dimitris Vitsas, u prononcua të enjten në lidhje me problemin e refugjatëve në ishujt e vendit të tij.

“Një prej kushteve të rëndësishme të zgjidhjes së problemeve në ishuj është komunikimi dhe dialogu transparent me Turqinë. Ne kemi një nivel të mirë bashkëpunimi me homologun tim turk”, deklaroi Vitsas gjatë një paneli në kuadër të Konferencës 14. të Zhvillimit të Egjeut Verior, organizuar në Lesbos (Midilli), një nga ishujt përballë brigjeve turke.

Sipas tij, politikat e migracionit s’mund të bazohen dhe as të ndërtohen mbi durimin e banorëve të ishujve të Egjeut, prandaj numri i refugjatëve në kampet e mbipopulluara do të reduktohet në përputhje me kapacitetet e tyre deri në muajin shtator.

Vitsas vuri në pah se Greqia, në këtë aspekt, vepron në përshtatje me Konventën e Gjenevës (1951) për statusin ligjor të refugjatëve.

Nga ana tjetër – komentoi ai – marrëveshja për refugjatët ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë është kundërhelmi i politikës së kufijve të mbyllur të shteteve evropiane.

Duke bërë me dije se gjendja në kampet e refugjatëve është mjaft për të ardhur keq, ministri grek i Politikave të Emigracionit theksoi se disa në Evropë bëjnë sikur nuk e shikojnë dhe e injorojnë këtë problem.

Ai u ndal gjithashtu mbi problemet e shkaktuara nga mbipopullimi ekstrem i kampeve të refugjatëve.

Në ishujt grekë si Lesbosi, Kiosi (Sakız) dhe Samosi (Sisam), strehohen aktualisht afro 15 mijë refugjatë, kryesisht sirianë, irakianë dhe afganë, një shifër kjo shumë herë më e lartë sesa kapaciteti i përgjithshëm i kampeve në to.

Për të shuar reagimet e banorëve lokalë, Athina zyrtare po transferon në Greqinë Kontinentale një pjesë të refugjatëve të strehuar në ishuj, për të lehtësuar sadopak barrën e problemeve të grekëve ishullorë.



Lajme të ngjashme