Erdogan mesazh Patrikanës Armene: S’do lejojmë margjinalizimin e asnjë shtetasi të Turqisë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan garanton se nuk do të lejojnë që asnjë shtetas i Republikës së Turqisë të margjinalizohet dhe të trajtohet ndryshe për shkak të besimit apo fesë së tij...

957734
Erdogan mesazh Patrikanës Armene: S’do lejojmë margjinalizimin e asnjë shtetasi të Turqisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të martën, në një mesazh për meshën e mbajtur në Patrikanën Armene të Stambollit, se ndarja e dhimbjeve dhe hidhërimeve është një domosdoshmëri e qëndrimit të moralshëm të kombit turk.

“Është domosdoshmëri e ndërgjegjes dhe qëndrimit të moralshëm të kombit turk të solidarizohet me shtetasit tanë armenë dhe të ndajë me ta dhimbje e hidhërimet, që ata kanë përjetuar në të kaluarën. Unë kërkoj prej jush që këtej e tutje, sikurse dhe deri më sot, të mos u jepni shans atyre që përpiqen e shpresojnë të shtrembërojnë të kaluarën tonë të përbashkët dhe të nxisin përbuzje, urrejtje dhe armiqësi nëpërmjet historisë”, shkruan Erdogan në mesazhin e tij dërguar Patrikanës Armene të Stambollit, sipas një njoftimi nga Qendra e Shtypit të Presidencës turke.

“Në Patrikanën Armene të Stambollit mbahet sot një ceremoni për të kujtuar armenët osmanë, që humbën jetën në kushte të vështirë gjatë Luftës I Botërore”, shton kreu i shtetit turk duke shprehur nderimet e tij për armenët që humbën jetën gjatë kësaj periudhe, duke u lutur po ashtu për mëshirë për miliona qytetarë osmanë që në po atë periudhë humbën jetën nga sëmundjet, mërgimet, luftërat dhe konfliktet.

Erdogan thekson se turqit kanë qenë gjatë tërë historisë një popull që ka ditur të solidarizohet e të ndajë dhimbjen.

“Ne kemi nxituar për të ndihmuar këdo që ka qenë në gjendje të vështirë jo vetëm në territoret tona, por edhe në Andaluzi, Afrikë, Azinë Jugore e deri në Evropë. Këtë e kemi bërë pa dallime në fe, gjuhë dhe përkatësi etnike apo kulturore të askujt. Edhe sot, ne përpiqemi si shtet që të ruajmë këtë trashëgimi dhe të forcojmë vëllazërinë, empatinë, paqen dhe qetësinë”, nënvizon ai.

Presidenti garanton në mesazhin e tij se nuk do të lejojnë që asnjë shtetas i Republikës së Turqisë të margjinalizohet dhe të trajtohet ndryshe për shkak të besimit apo fesë së tij.

“Besoj që edhe shtetasit tanë armenë do t’i rrisin më tej kontributet që ofrojnë për kulturën dhe jetën tonë shoqërore, politike dhe tregtare”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e Presidentit Erdogan në adresë të Patrikanës Armene të Stambollit.



Lajme të ngjashme