Turqi-ShBA do të krijojnë mekanizma për zgjidhjen e problemeve

Gjatë kthimit me avion nga Gjermania Kryeministri Binali Jëlldërëm i njohu gazetarët me detajet e bashkëpunimit të ardhshëm me ShBA, përfshi edhe zgjidhjen e problemeve të pakapërcyeshme.

Turqi-ShBA do të krijojnë mekanizma për zgjidhjen e problemeve

Për zgjidhjen e problemeve të pakapërcyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) do të krijohen mekanizma efikase.

Kryeministri Binali Jëllëdërëm (Binali Yıldırım) iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve që e shoqëronin në avion gjatë kthimit nga Gjermania, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Kryeministri dha detaje mbi bashkëpunimin e ardhshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Mekanizmi do të jetë tresh. Ministrat e Mbrojtjes dhe ministrat e Jashtëm do të punojnë mes tyre, kurse shefat e agjencive të inteligjencës do të kenë një bashkëpunim më të afërt. Detajet e çështjes do ti trajtojmë në mbledhjen koordinuese që do të kemi me ministrat e linjës dhe pasi të kemi parë brendësinë e këtij takimi koordinues”, sqaroi shefi i Qeverisë së Ankarasë.

“Mekanizmi që do të krijohet nuk do të jetë i kufizuar vetëm me një fushë veprimi, ai do të angazhohet në të gjitha problemet”, shtoi ai.

Qëllimi i krijimit të delegacioneve me përfshirje të gjerë nuk është vetëm strukturimi i organizatës separatiste terroriste PKK/KCK/PYD-YPG në Siri, u shpreh Jëlldërëm dhe shtoi: “Njëkohësisht do të trajtohen si një e tërë edhe çështjet që kanë shkaktuar prishjen e marrëdhënieve tona me ShBA-në. E zëmë se ne bashkëpunuam (me Amerikën) për çështjen e Sirisë, dhe ShBA-ja hoqi dorë nga bashkëpunimi i saj me PKK/KCK/PYD-YPG; marrëdhëniet tona me ShBA-në prapë nuk rregullohen dot, pasi kemi edhe çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje. Është çështja e Organizatës Terroriste FETO, janë gjyqet që vazhdojnë në të dyja vendet”.

Në kuadër të antiterrorizmit për ne nuk ka asnjë dallim ndërmjet lindjes dhe perëndimit të Lumit Eufrat në Siri, nënvizoi Jëlldërëm dhe e vijoi deklaratën e tij për gazetarët me këto fjalë: “Ne nuk do të tolerojmë kurrë, në një të ardhme afatmesme dhe afatgjatë, që në territorin e Irakut dhe Sirisë të ekzistojë dhe jetojë një strukturë terroriste që vepron kundër Turqisë. Kjo çështje është e panegociueshme, nuk mund të negociohet për pjesën lindore apo perëndimore të Eufratit. Ne do të jemi aty ku është edhe kërcënimi”.

Gazetarët e pyetën Kryeministrin edhe për bashkëpunimin ndërmjet Shërbimit Informativ Kombëtar turk (MIT) dhe shërbimit gjerman BND.

“Gjithmonë ka pasur këmbim informacioni ndërmjet shërbimeve informative, por vetëm se disa herë ky këmbim është më shumë, dhe disa herë më pak. Është e pamundur ndërprerja e këmbimit të informacionit ndërmjet policive, agjencive të inteligjencës, ushtrive dhe institucioneve dhe agjencive të tjera. Kur ndodh ndërprerja e këtij këmbimi? Ndodh nëse ndërpriten marrëdhëniet diplomatike”, vlerësoi Jëlldërëm.

Kryeministri u ndal edhe në detajet e takimit që kishte patur me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Jëlldërëm tha se në këtë takim ishte biseduar edhe për ekstradimin e pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO.

“I thashë (Merkelit) se do të jemi të kënaqur në qoftë se do ta mbështesë Turqinë në lidhje me pjesëtarët e FETO-s. Kohët e fundit Gjermania në fakt e ka ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj organizatës separatiste terroriste PKK. Ky është një zhvillim i mirë. Ne presim që të njëjtën gjë Gjermania ta bëjë edhe për terroristët e FETO-s”, sqaroi Jëlldërëm.

Kryeministri Jëlldërëm shtoi se anëtarët e organizatës separatiste terroriste PKK po bëjnë përpjekje për të prishur marrëdhëniet Turqi-Gjermani.



Lajme të ngjashme