Erdogan: Operacioni “Dega e Ullirit”, shembull faktik i vendosmërisë antiterroriste të Turqisë

“Operacioni ‘Dega e Ullirit’ është një paralajmërim i qartë, një shembull faktik për ata që s’duan të kuptojnë vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër terrorizmit”, deklaroi të premten kreu i shtetit turk, Recep Tayyip Erdogan...

Erdogan: Operacioni “Dega e Ullirit”, shembull faktik i vendosmërisë antiterroriste të Turqisë

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përsëriti të premten se nuk do të lejojnë kurrë një korridor terrorist në zonat veriore të Sirisë.

Kreu i shtetit turk dhe njëherësh i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet mbajti një fjalim drejtuar kryetarëve të degëve të forcës politike të tij, në selinë e saj në Ankara, ku u ndal veçanërisht mbi operacionin “Dega e Ullirit”, ndërmarrë nga ushtria turke për të spastruar praninë terroriste në zonën e Afrinit.

“Operacioni ‘Dega e Ullirit’ është një paralajmërim i qartë, një shembull faktik për ata që s’duan të kuptojnë vendosmërinë e Turqisë në luftën kundër terrorizmit. Me lejen e Allahut, organizatës terroriste PKK/PYD-YPG  do t’i paaftësojmë lëvizjen së shpejti”, deklaroi ai.

Pasi theksoi se Turqia i kushton rëndësi të madhe e të veçantë mbrojtjes së civilëve dhe njerëzve të pafajshëm, Erdogan rikujtoi se ushtria turke ka rregulla e norma të rrepta që prej epokave të lashtësisë në lidhje me këtë çështje.

“Ne do t’i shkojmë deri në fund rrugës, të cilën e vlerësojmë si të drejtë”, siguroi presidenti turk duke nënvizuar se deri në fund do të mbrojnë gjithashtu të drejtat e të shtypurve dhe të viktimizuarve.

Erdogan vuri në pah se operacioni i Turqisë në Afrin të Sirisë ka në shënjestër vetëm organizatat terroriste dhe terroristët.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohin PKK-në si organizatë terroriste – vijoi ai – ato vazhdojnë t’u dërgojnë armë këtyre terroristëve nëpërmjet dinakërisë së ndërrimit të emrit (të organizatës), ndërkohë që amerikanët e kritikojnë fuqishëm administratën e Uashingtonit për këtë çështje duke qenë se armët e dërguara terroristëve sigurohen me taksat e tyre.

“Përgjigjja jonë për ata që duan të formojnë një korridor terrorist është: Ne do t’i vazhdojmë operacionet tona derisa të eliminohet edhe terroristi i fundit në Siri, derisa ky vend të bëhet i sigurt për zotët e tij të vërtetë”, potencoi kreu i shtetit turk.

“Operacionin tonë ‘Dega e Ullirit’, i cili hyri sot në ditën e tij të 7-të, ne do ta vazhdojmë derisa të arrijmë objektivat tona. Do t’i spastrojmë terroristët edhe nga Menbixhi. Ndërsa më pas do ta vazhdojmë këtë përpjekje tonën derisa të mos lëmë asnjë këmbë terroristi deri në kufirin e Irakut. Kushdo që është kundër terrorizmit, dëshirojmë që të renditet pranë nesh në këtë luftë”, shtoi Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme