Qiproja e Veriut kritikon miratimin e fondeve të BE-së për grekët qipriotë

MPJ turkoqipriote ka kritikuar BE-në për miratimin e fondeve për financimin e projekteve infrastrukturore grekoqipriote në lidhje me importin e gazit natyror të lëngshëm duke e cilësuar atë si “të padrejtë dhe të njëanshëm”...

Qiproja e Veriut kritikon miratimin e fondeve të BE-së për grekët qipriotë

Republika Turke e Qipros Veriore (RTQV) ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për miratimin e fondeve për financimin e projekteve infrastrukturore grekoqipriote në lidhje me importin e gazit natyror të lëngshëm duke e cilësuar atë si “të padrejtë dhe të njëanshëm”.

“Kjo lëvizje ka injoruar realitetet dhe ndjeshmërinë në ishull”, deklaroi Ministria turkoqipriote e Punëve të Jashtme.

Deklarata vjen pas miratimit paraprak nga ana e Komisionit Evropian të 101 milionë eurove (125 milionë dollarë) për Administratën Greke të Qipros për të financuar projektet e infrastrukturës së importit të gazit natyror të lëngshëm.

“Shqetësimet e turqve qipriotë rreth projektit, i cili injoron të drejtat dhe interesat e palës turke, u janë komunikuar palëve përkatëse”, thekson deklarata në fjalë duke shtuar se turqit e Qipros duhet të përfshihen në vendimet që kanë të bëjnë me të gjithë ishullin.

Komunikata e MPJ të RTQV-së tërheq vëmendjen gjithashtu se BE-ja vazhdon të mbështesë grekoqipriotët në vend që të luajë një rol ndërmjetësues mes palëve.

“Qasja e padrejtë dhe e njëanshme e BE-së ka filluar të promovojë ndarjen”, saktësohet në deklaratë mes të tjerash.

MPJ turkoqipriote rikujton se sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka përsëritur vazhdimisht se nga burimet natyrore në ishull duhet të përfitojnë të dyja palët dhe se lëvizjet e njëanshme do të shkaktonin tension në rajon.

“Administrata Greke e Qipros po nënshkruan veçmas marrëveshje bilaterale dhe multilaterale dhe po vazhdon aktivitetet e saj të eksplorimit të hidrokarbureve”, thuhet në komunikatën e sipërcituar.

“Mënyra më e arsyeshme dhe praktike e lëvizjes së burimeve natyrore nga ishulli është transportimi i tyre në Evropë nga Qiproja e Veriut përmes Turqisë”, saktëson Ministria turkoqipriote e Punëve të Jashtme duke kërkuar nga Bashkimi Evropian një qasje më të ekuilibruar dhe të drejtë për të dyja palët ishullore.



Lajme të ngjashme