Erdogan: Na kanë përçarë në “sunitë” dhe “shiitë”, por kemi një fe dhe është islami

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tërhoqi vëmendjen mbi përpjekjet e botës perëndimore për të përçarë islamin...

878247
Erdogan: Na kanë përçarë në “sunitë” dhe “shiitë”, por kemi një fe dhe është islami

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tërhoqi vëmendjen mbi përpjekjet e botës perëndimore për të përçarë islamin.

Gjatë kthimit të mërkurën në mbrëmje nga Tunizia, stacioni i fundit i turneut të tij afrikan, kreu i shtetit turk bëri vlerësime për gazetarët që e shoqëronin në avionin presidencial.

Erdogan vuri në pah se media perëndimore ka filluar ta cilësojë atë si “lider të myslimanëve sunitë”.

“Çështja duhet parë nga një këndvështrim përtej sunizmit dhe shiizmit. Ne s’bëhemi pjesë e një ndasie të llojit sunit apo shiit. Ne s’kemi një fe që quhet sunizëm dhe as një besim që quhet shiizëm. Feja jonë është një dhe është islami. Ne jemi të obliguar të veprojmë sipas udhëzimeve të islamit. Tashmë na kanë përçarë në ‘sunitë’ dhe ‘shiitë’. Duhet të tregojmë kujdes maksimal për të mos rënë pre e këtyre lojërave”, u shpreh ai.

Lideri turk u ndal gjithashtu mbi nismat për statusin e Jerusalemit.

“Nga aspekti i përfaqësimit, pjesëmarrja mund të ishte në nivel shumë më të lartë në samitin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OIC), i cili u mbajt në Stamboll më datë 13 dhjetor nën presidencën e radhës së Turqisë”, tha Presidenti Erdogan.

Disa shtete të Ligës Arabe – vijoi ai – nuk demonstrojnë ndjeshmërinë e duhur për sa i takon Jerusalemit dhe kjo është për të ardhur keq.

“Por në linja të përgjithshme, pjesëmarrja në samit ishte megjithatë mjaft e mirë. Arabia Saudite, për shembull, u përfaqësua në samit nga ministri i Çështjeve Islame. Natyrisht që kjo është e rëndësishme. Por një përfaqësim në nivel edhe më të lartë mund të ishte akoma më mirë. Kjo çështje mbase do të shkojë në një fazë shumë më ndryshe. Fjala bie, mund të shkohet në reformimin e Organizatës së Bashkëpunimit Islam”, deklaroi Erdogan.

Themelimi i OIC-së – shtoi ai – bazohet tek Jerusalemi dhe është për Jerusalemin.

“Kjo organizatë duhet ta kryejë funksionin e saj në një mënyrë shumë më të fuqishme. OIC-ja duhet të jetë një organizatë me peshë në Kombet e Bashkuara. Në botë kemi edhe bllokun e të paangazhuarve. I falënderoj, pasi edhe ata morën pjesë në samitin e Stambollit. Pavarësisht se bën fire, u treguan të ndjeshëm. Një firo të vogël pati edhe në vendet e Bashkimit Evropian, por e mbështetën procesin”, tha Erdogan.

Më tej, ai bëri vlerësime në lidhje me ekonominë duke paralajmëruar se Turqia do ta mbyllë vitin 2017 me një rritje mbi 7 për qind.

Kreu i shtetit turk nënvizoi se në pjesët veriore të Sirisë po kërkohet të formohet një korridor terrorist me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa vendeve perëndimore.

“Ne s’mund të lejojmë atje një korridor terrorist në lidhje me YPG/PYD-në, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK. Një natë, papritmas, bëhet çfarë të jetë e nevojshme”, theksoi ndër të tjera Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme