Putin në Ankara: Vendimi i SHBA-së për Jerusalemin minon procesin e paqes

“Një vendim që minon procesin e paqes”, ishin fjalët e liderit rus nga Ankaraja për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump...

Putin në Ankara: Vendimi i SHBA-së për Jerusalemin minon procesin e paqes

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi mbrëmjen e së hënës se këtë javë do të qartësohet blerja e sistemit të mbrojtjes ajrore “S-400” nga Rusia.

Kreu i shtetit turk dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, realizuan në Ankara takimin e tyre të 8-të dypalësh brenda vitit 2017.

Dy liderët dolën përpara kamerave në konferencë të përbashkët shtypi pas një takimi kokë më kokë rreth 1 orë të gjatë.

I pari në lidhje me këtë takim, i cili pritej me interes nga e gjithë bota, u prononcua Erdogani, që e nisi fjalën duke u shprehur i kënaqur që priti edhe një tjetër herë e Putinit në Turqi.

Ai tha se marrëdhëniet turko-ruse vazhdojnë të zhvillohen në çdo fushë, ndërsa vuri në pah se “harmonia politike” po reflektohet gjithashtu në marrëdhëniet njerëzore, tregtare, turistike dhe energjetike mes dy vendeve.

Pasi u ndal mbi rëndësinë e jetësimit brenda një kohe të shkurtër të projekteve të përbashkëta energjetike, me theks të veçantë mbi Centralin Bërthamor “Akkuyu”, Erdogani tërhoqi vëmendjen se vëllimi tregtar me Rusinë është rritur me 30 për qind në harkun kohor dhjetëmujor janar-nëntor të vitit 2017.

Mes të tjerash – vijoi lideri turk – ne morën në shqyrtim problemet rajonale dhe deklaratën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes së cilës ai e shpalli Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit; një vendim ky që zhgënjeu myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë e ndjeshëm duke shkaktuar zemërim e indinjatë në tërë botën.

Duke rikujtuar se policia izraelite ka martirizuar 4 palestinezë dhe plagosur rreth 2.000 të tjerë që nga shpallja e vendimi të Trumpit (më 6 dhjetor) e këtej, Erdogani bëri të ditur se me Putinin ndajnë të njëjtin mendim për sa i takon Jerusalemit.

“Izraeli po e konsideron procesin e fundit si një mundësi për të rritur edhe më shumë presionin e dhunën ndaj palestinezëve. Është e pamundur që njerëzit e ndërgjegjshëm, të moralshëm, parimorë dhe me vlera t’i shpërfillin këto vrasje”, tha ai gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas takimit në Ankara me Kryetarin e Shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin.

“Kemi vërejtur se kemi qasje të ngjashme me Putinin lidhur me Jerusalemin. Kemi rënë dakord të vazhdojmë kontaktet tona në këtë drejtim”, shtoi presidenti turk.

Erdogani tha më tej se me liderin mysafir trajtuan gjithashtu situatën në Siri duke sinjalizuar një samit të ri Turqi-Rusi, si vende garantuese të Procesit të Astanës, të ngjashëm me atë të 22 nëntorit në Soçi, përsëri në këtë qytet.

“Hapi ynë i mëtejshëm do të jetë mbajtja e një takimi të dytë së shpejti në Soçi. Si garantues të Procesit të Astanës, ne do të ofrojmë kontributin tonë për Procesin e Gjenevës për t’i gjetur një zgjidhje të qëndrueshme konfliktit në Siri”, u shpreh ai.

Sa i përket blerjes së sistemit raketor “S-400” nga Rusia, Presidenti Erdogan theksoi se kjo punë do të finalizohet brenda kësaj jave.

Ndërsa lideri rus, Vladimir Putin, deklaroi se vazhdon bashkëpunimi i ngushtë me Turqinë për çështjen e Sirisë dhe pjesa më e madhe e territoreve të këtij vendi është pastruar tashmë nga prania e terroristëve.

Shefi i Kremlinit njoftoi se në Siri, ku realizoi një vizitë surprizë përpara se të vinte në Turqi, ka biseduar me Beshar Esedin rreth Kongresit të Dialogut Kombëtar Sirian, i cili parashikon takimin e autoriteteve të regjimit me përfaqësuesit e opozitës për procesin e transicionit politik.

“Më lejoni të them që unë çmoj shumë meritën dhe përpjekjet e Erdoganit për arritjen e zgjidhjes në Siri”, nënvizoi ai.

Putini u ndal më tej mbi çështjen e Jerusalemit duke kritikuar administratën amerikane.

“Një vendim që minon procesin e paqes”, ishin fjalët e tij për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Kreu i shtetit rus potencoi gjithashtu se problemi i statusit të Jerusalemit do të zgjidhet në negociatat e drejtpërdrejta ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

“Procesi i paqes duhet të zhvillohet në kuadër të rezolutave të Kombeve të Bashkuara. Statusi i Jerusalemit duhet medoemos të diskutohet me kontakte të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe palestinezëve”, u shpreh presidenti rus.

Ai njoftoi edhe se Rusia do të marrë pjesë si vëzhguese në mbledhjen e jashtëzakonshme të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OIC), që do të mbahet të mërkurën në Stamboll.

Putini përfundoi kontaktet zyrtare në Ankara dhe u largua nga Turqia. Avioni i tij u ngrit nga Aeroporti “Esenboga” i kryeqytetit turk rreth orës lokale 22.39.

Gjatë vizitës së tij të paparalajmëruar në qytetin Latakia të Sirisë, përpara se vinte në Turqi, Putini urdhëroi tërheqjen e pjesshme të trupave ruse të dislokuara në këtë vend. Trupat ruse në Siri qenë dislokuar në vitin 2015.

Pas surprizës në Siri, shefi i Kremlinit realizoi një vizitë të shkurtër edhe në Egjipt.



Lajme të ngjashme