Presidenti Erdogan vazhdon me kritika për çështjen e Jerusalemit

"Ata të cilët veten e shohin si pronarë të Jerusalemit, nesër nuk do të gjejnë as një pemë për tu fshehur pas saj”, deklaroi Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti Erdogan vazhdon me kritika për çështjen e Jerusalemit

Presidenti Recep Tayyip Erdogan në fjalimin e tij të mbajtur në programin e organizuar në Dhomën Tregtare të Ankarasë (ATO) me rastin e Ditës së të Drejtave të Njeriut, deklaroi se “Sot ata të cilët veten e shohin si pronarë të Jerusalemit, nesër nuk do të gjejnë as një pemë për tu fshehur pas saj”.

“Presidenti i ShBA-së, Donald Trump me njohjen e Jerusalemit si ‘kryeqytet i Izraelit’ është bërë partner i gjakut të derdhur. Ne nuk e njohim dhe nuk do ta njohim këtë vendim. Deklarata e Trumpit nuk na obligon neve e as Jerusalemin”, bëri të ditur Erdogan.

Kreu i shtetit turk tha se përpjekjet e tij nuk do të përfundojnë deri sa të themelohet një shtet sovran dhe i pavarur i Palestinës në kuadër të kufijve të vitit 1967 me kryeqytet Jerusalemin Lindor.

Duke theksuar se nuk është e mundur që vandalizmi, dhuna dhe vrazhdësia e shfaqur në Jerusalem të vazhdojnë përgjithmonë, Presidenti Erdogan tha: “Ata të cilët Jerusalemin e kanë kthyer në burg për myslimanët dhe për pjesëtarët e feve tjera, kurrë nuk do të mund ta pastrojnë gjakun nga duart e tyre. Çështja e Palestinës dhe Jerusalemit është një letër lakmues. Ata të cilët nuk radhiten pranë të shtypurve në këtë çështje nuk mund të flasin për çështjen e paqes globale”.

Erdogan gjatë fjalimit të tij gjithashtu tha se “Palestina prej Luftës së Dytë Botërore e këtej, e posaçërisht Jerusalemi, kanë qenë të ekspozuar ndaj dhimbjeve të mëdha saqë nga zemrat e tyre gjithmonë kanë dalë vaje të tilla. Pëllumbat të cilët fluturojnë në qiellin e kaltër çdoherë do të kthehen të pastër. Por, ata të cilët e kthyen Jerusalemin në burg për myslimanët dhe për pjesëtarët e feve tjera, kurrë nuk do të mund ta pastrojnë gjakun nga duart e tyre”.

Gjatë fjalës së tij Presidenti Erdogan preku edhe në zhvillimet pozitive në ekonominë e vendit.

Presidenti tha se rretheve të liga të jashtme dhe të brendshme, të cilat përpiqen për ta paraqitur Turqinë si të dobët, përgjigjja më e mirë është dhënë me shifra të rritjes që në çerekun e tretë të vitit shënoi 11,1%.

“Turqia kurrë nuk e ka zhgënjyer dhe do ta zhgënjejë asnjërin që i beson dhe që investon në të”, bëri të ditur Erdogan.



Lajme të ngjashme