Ekspertët: Deklarata e ambasadorit amerikan në Turqi, pohim i lidhjeve terroriste të SHBA-së

Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare kanë analizuar deklaratën skandaloze, që bëri gjatë një konference shtypi të mërkurën ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara, John Bass, i cili do të largohet nga Turqia në fund të javës...

Ekspertët: Deklarata e ambasadorit amerikan në Turqi, pohim i lidhjeve terroriste të SHBA-së

Prof. dr. Beril Dedeoglu nga Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit “Galatasaray”, rikujtoi se ambasadori John Bass – që ka thënë se “në Turqi s’ka sulme terroriste prej tashmë 9 muajsh e gjysmë dhe kjo nuk është sepse DAESH-i hoqi dorë, por një rezultat i bashkëpunimit tonë” – është një diplomat.

Këto fjalë të ambasadorit Bass – theksoi ajo – kanë një nënkuptim të llojit “ne mund të orientojmë cilëndo organizatë terroriste që duam”.

“Në njërën anë, kjo deklaratë do të thotë ‘mund të ketë akte (terroriste) nëse i japim fund bashkëpunimit’, kurse në anën tjetër ‘kaq shumë influencë kemi ne mbi DAESH-in’. Kjo nuk është fort e drejtë”, vuri në pah profesoresha.

Dedeoglu tërhoqi vëmendjen se qëllimi i këtyre fjalëve të diplomatit amerikan është të krijojë përshtypjen që SHBA-ja ka një kapacitet të atillë saqë mund të mbajë dhe orientojë organizatën terroriste DAESH.

“Kërcënim dhe pohim që nuk i kanë hije aspak finesës dhe mirësjelljes diplomatike, të gjitha janë brenda kësaj fjalie”, shtoi ajo.

Ndërsa Abdullah Agar, një ekspert sigurie i njohur, tha se ambasadori Bass, që është shprehur se “në Turqi s’ka sulme terroriste prej tashmë 9 muajsh e gjysmë”, tregon se merr për bazë sulmin e DAESH-it në “Reina”, natën e ndërrimit të viteve.

Pasi nënvizoi se në Turqi është krijuar një opinion i keq për kreun e misionit diplomatik amerikan në Ankara, eksperti Agar sqaroi se një gjykim i shëndoshë mund të bëhet vetëm nëse zbulohen të dhënat, që tregojnë se cilat kërcënime qenkan penguar nga SHBA-ja në vazhdën e bashkëpunimit kundër DAESH-it që prej datës së përmendur nga ambasadori Bass.

Sipas tij, shumë individë dhe shtresa të shoqërisë turke e perceptojnë dhe vënë në pyetje këtë deklaratë në formën: “Vallë a ka SHBA-ja një influencë mbi DAESH-in?”

“Raportet tashmë të zbuluara të SHBA-së me organizatat terroriste YPG/PYD/PKK në Siri dhe Irak formojnë motivet e këtij perceptimi”, vlerësoi ai.

Eksperti turk i sigurisë potencoi se me mbështetjen e saj për organizatën terroriste gyleniste (FETO) dhe YPG/PYD/PKK-në, SHBA-ja ka instaluar me duart e veta perceptime dhe ndjenja antiamerikane të qarta në mendjen e popullit turk.

“Duke lëshuar këtë deklaratë vetëm pak kohë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ‘DAESH-in e ka themeluar Barack Obama me ndihmën e Hillary Clinton’, ambasadori Bass nuk bëri gjë tjetër veçse përforcoi edhe më tepër perceptimin antiamerikan të popullit turk”, komentoi Abdullah Agar.



Lajme të ngjashme