Dita e Fitores – Presidenti Erdogan nënshkruan Librin e Veçantë në mauzoleun e Ataturkut

Turqia po feston sot 95-vjetorin e 30 Gushtit - Ditës së Fitores me ceremoni dhe aktivitete të ndryshme në shkallë vendi. Stacioni i parë i festimeve në Ankara ishte Varri Monumental i Ataturkut...

Dita e Fitores – Presidenti Erdogan nënshkruan Librin e Veçantë në mauzoleun e Ataturkut

Turqia po feston sot 95-vjetorin e 30 Gushtit - Ditës së Fitores me ceremoni dhe aktivitete të ndryshme në shkallë vendi.

Stacioni i parë i festimeve në Ankara ishte Varri Monumental i Ataturkut (Anitkabir).

Krerët e shtetit turk vendosën kurora me lule në mauzoleun e themeluesit të Turqisë moderne.

Pas vendosjes së luleve dhe ekzekutimit të himnit kombëtar, Presidenti Recep Tayyip Erdogan nënshkroi Librin e Veçantë të Anitkabirit.

Në këtë mesazh special me rastin e Ditës së Fitores, Presidenti Erdogan vuri theksin mbi qëndresën e bërë gjatë natës së 15 korrikut (2016).

“I nderuar Ataturk, po festojmë edhe një herë me krenari 95-vjetorin e Fitores së Madhe. Këtë fitore historike, lajmëtare e suksesit tonë në Luftën Çlirimtare, e shikojmë si një hallkë shumë të rëndësishme të zinxhirit të përpjekjeve të vështira, që shtrihet nga Manzikerti (Malazgirt) deri në të sotmen tonë. Me forcën e marrë nga fitorja që kemi arritur më 30 Gusht, teksa themeloi Republikën tonë, (Ataturku) përcaktoi si objektiv tonin ngritjen mbi nivelin e qytetërimit bashkëkohor. Turqia vazhdon rrugëtimin e saj drejt objektivave që keni përcaktuar. Qëndresa epike e demonstruar natën e 15 korrikut ka shpalosur vendosmërinë për të eliminuar të gjitha sulmet kundër pavarësisë ekonomike dhe politike të vendit tonë. Ne do të vazhdojmë t'i dalim zot këtij atdheu, të cilin ju, dëshmorët tanë të shenjtë dhe veteranët tanë heronj na e keni lënë amanet, qoftë edhe duke sakrifikuar jetën tonë. U prehshi në paqe”, shkroi Erdogan në Librin e Veçantë të Anitkabirit.

Pas ceremonisë në mauzoleun e Ataturkut, kreu i shtetit turk kaloi në Kompleksin Presidencial.

Njëherësh Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Presidenti Erdogan pranoi urimet me rastin e 30 Gushtit - Ditës së Fitores dhe të Forcave të Armatosura të Turqisë.

Mes shefave të misioneve diplomatike dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare në Ankara, që i uruan Erdoganit këtë ditë të shënuar të historisë së Republikës së Turqisë, ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bass, ai i Federatës Ruse, Aleksey Yerhov dhe i Republikës Popullore të Kinës, Yu Hongyang.



Lajme të ngjashme