Yildirim: Udhëheqja rajonale kurde e Irakut duhet të tërhiqet nga vendimi për referendum

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të enjten në mbrëmje se administrata rajonale kurde në veri të Irakut duhet të tërhiqet nga vendimi për referendum...

Yildirim: Udhëheqja rajonale kurde e Irakut duhet të tërhiqet nga vendimi për referendum

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, deklaroi të enjten në mbrëmje se administrata rajonale kurde në veri të Irakut duhet të tërhiqet nga vendimi për referendum.

Gjatë kthimit nga vizitat zyrtare në Singapor e Vietnam, shtete të Azisë Juglindore, shefi i qeverisë turke vlerësoi rendin e ditës për gazetarët e pranishëm në avion.

“Vendimi për referendum i udhëheqjes rajonale kurde të Irakut duhet të anulohet, duhet bërë kthesë nga ky gabim”, tha ai.

Binali Yildirim u ndal gjithashtu mbi notën e protestës, që i është dërguar Gjermanisë në lidhje me të shumëkërkuarin Adil Oksuz, i pandehur në arrati i tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 nga organizata terroriste gyleniste (FETO).

“Kemi informacione të inteligjencës. Gjermanisë po i themi që t’i marrë seriozisht këto informacione dhe, në rast se identifikohet, ta ekstradojë atë”, u shpreh kreu i Ankarasë zyrtare.

Sa i përket operacioneve të mundshme në Afrin dhe Idlib të Sirisë, Kryeministri Yildirim tërhoqi vëmendjen se Turqia do të kundërpërgjigjet shumëfish ndaj zhvillimeve, të cilat cenojnë të drejtat e sovranitetit të vendit të tij.

“Ne s’po mjaftohemi vetëm me çfarë është thënë lidhur me ndihmat në armatime për PYD-në, fraksion sirian i organizatës terroriste separatiste PKK, por kemi marrë dhe po vazhdojmë të marrim të gjitha llojet e masave”, theksoi Yildirim.

Më tej, gazetarët e pranishëm në avionin kryeministror e pyetën kryeministrin edhe për zhvillimet në ekonominë turke.

Sipas raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) – u shpreh ai – Turqia ka lënë pas Spanjën dhe është tashmë ekonomia e 5-të më e madhe në Evropë.

Në fund, Kryeministri Yildirim rikujtoi se çështjet ekonomike do të jenë në krye të agjendës gjatë muajve në vijim.



Lajme të ngjashme