Turqi - Mori fund mbledhja e Këshillit të Lartë Ushtarak

Para fillimit të mbledhjes anëtarët e këshillit të kryesuar nga Kryeministrisë Yildirim vizituan mauzoleun e Ataturkut.

Turqi - Mori fund mbledhja e Këshillit të Lartë Ushtarak

Mori fund edhe mbledhja e Këshillit të Lartë Ushtarak që u kryesua nga Kryeministri Binali Yildirim.

Para fillimit të mbledhjes anëtarët e këshillit të kryesuar nga Kryeministrisë Yildirim vizituan mauzoleun e Ataturkut.

Kryeministri Yildirim në mesazhin e tij të shënuar në librin e shënimeve në Kullën e Paktit Kombëtar shkroi kështu: “Ne vazhdojmë të punojmë me vendosmëri që Republika, të cilën ju e keni lënë në trashëgimi të vendosur mbi themelet e forta, të arrij në objektivat e saj të qytetërimit bashkëkohor. Objektivi ynë kryesor është një Turqi më e begatë, më e sigurte, më e drejtë dhe më e lirë. Besimi ynë për ti lënë gjeneratave të reja në mbrojtje me këmbëngulje dhe vendosmëri të njëjtë trojet e këtij atdheu të lagura me gjakun e dëshmorëve është më i fortë”.

Pas kalimit të anëtarëve në sallën e përgatitur në Pallatin Çankaya në orën 11.15 filloi edhe mbledhja e Këshillit.

Kryeministri Yildirim në hapje të mbledhjes mbajti një fjalim.

Duke e bërë të ditur se Turqia nga aspekti i pozitës së saj gjeografike ndodhet në qendër të ngjarjeve të rëndësishme politike, shoqërore dhe të sigurisë, Kryeministri Yildirim tha se “Bëhet fjalë për kërcënime të brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë tonë në këto troje”.

Duke e bërë të ditur se krahas organizatave separatiste terroriste dhe tentativës tinëzare për grusht shteti të ndërmarrë më 15 korrik, edhe lufta kundër organizatës terroriste gyleniste/strukturat paralele në shtet (FETO/PDY) është bërë njëra prej çështjeve të rëndësishme, Kryeministri Yildirim vijoi me këto fjalë: “Në këtë moment Turqia është duke bërë përpjekje të vazhdueshme kundër tre organizatave terroriste. Këto janë organizata separatiste terroriste PKK, FETO/PDY dhe DAESH-i. Dua të vë një theks të veçantë mbi një gjë. Lufta kundër organizatës separatiste terroriste PKK është duke u zhvilluar në mënyrë të suksesshme posaçërisht gjatë vitit të fundit. Strategjia ofensive e luftimeve të cilën e zbatuam posaçërisht në fillim të muajt gusht vitin e kaluar dhe punimet në mënyrë të koordinuar mes Forcave të Armatosura dhe forcave tjera të sigurisë kanë dhënë rezultatet e pritura të cilat luftën kundër organizatës separatiste terroriste PKK e sollën në një nivel kuptimplotë”.

Kryeministri Yildirim tërhoqi vëmendjen se kohëve të fundit është ulur dukshëm numri i të rinjve të dalë në male, ndërsa udhëheqësit vendor të cilët përkrahnin organizatën terroriste janë larguar nga detyra dhe ndaj tyre ka filluar procesi gjyqësor. Në anën tjetër pas heqjes së imunitetit nga ana e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë është përshpejtuar edhe procesi ligjor ndaj përkrahësve politik të organizatës terroriste PKK, ndërsa bëri të ditur se tërheqin vëmendjen rezultatet e arritura në këtë drejtim.

Yildirim gjithashtu tha se kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj Turqisë nuk kanë mbaruar ende dhe janë duke vazhduar, ndërsa shtoi se çështjet si ajo e ishujve në Detin Egje me Greqinë, çështja e Qipros, mendimi për të organizuar referendum në veri të Irakut, çështjet në lidhje me të ardhmen e Sirisë janë vetëm disa nga çështjet që vazhdojnë të zënë vend në rendin e ditës së Turqisë.

Kryeministri theksoi se kriza e Gjirit, zhvillimet në Korenë e Veriut, marrëdhëniet Turqi-BE, Jemeni, Libia, çështjet izraelito-palestineze do të vazhdojnë të jenë prezent si rreziqe potenciale gjatë procesit të ardhshëm si probleme rajonale dhe globale, ndërsa shtoi: “Me ndryshimet kushtetuese, të cilat i realizuam nën këto kushte të vështira, kemi bërë ndryshime rrënjësore në traditën e administrimit 94-vjeçar. Këto ndryshime, të cilat mund të quhen edhe si kalim nga sistemi parlamentar në atë presidencial, do të sigurojnë vendin nga aspekti i stabilitetit dhe sigurisë gjatë viteve të ardhshme. Sistemi i ri ka mishëruar edhe më shumë strukturën unitare, ndërsa pushteti i vazhdueshëm ka marr nën garancë stabilitetin e qëndrueshëm. Ky ndryshim dha një mundësi shumë të rëndësishme për t’iu kundërvënë zhvillimeve kritike të brendshme dhe të jashtme në këto treva të vështira në të cilat ndodhet vendi ynë. Objektivi ynë është niveli i qytetërimit bashkëkohor në të cilin tregoi Mustafa Kemal Ataturku”.

Pritet që vendimet që do të merren në mbledhjen e Këshillit të Lartë Ushtarak të publikohen pas dekretimit të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Njëra prej çështjeve më të rëndësishme që do të përcaktohen në kuadër të mbledhjes së këshillit ku do të diskutohet edhe në lidhje me gradimet dhe emërimet, do të jetë edhe gjendja e komandantëve të forcave.

Tani skadojnë edhe mandatet e komandantëve të forcave të emëruar me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, me nënshkrimin e Kryeministrit dhe me dekretimin e Presidentit. Gjendja e komandantit të Forcave Tokësore, gjeneral armate, Salih Zeki Çolak, komandantit të Forcave Detare, admiralit Bulent Bostanoglu dhe komandantit të Forcave Ajrore, gjeneral armate Abidin Unal do të përcaktohet me anë të vendimit që do të dalë nga kjo mbledhje. Ligji në fuqi mundëson zgjatjen e mandateve të komandantëve të forcave të cilëve u skadoi mandati.

Sipas ligjit të punonjësve të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneral armate dhe admiralët të emëruar në detyra të komandantëve të forcave mund të mbeten për dy vite në këtë detyrë. Ky mandat mund të zgjatet edhe për një vit me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, nënshkrimin e Kryeministrit dhe dekretin e Presidentit. Ndërkaq data e kohëzgjatjes së përcaktimit të detyrës merret 30 gushti.



Lajme të ngjashme