Çelik: Anëtarësimi i Turqisë në BE, i nevojshëm për interesat kombëtare

"Ajo që thelloi krizën në marrëdhëniet Turqi-BE është dështimi i BE-së në dhënien e përkrahjes së fuqishme ndaj Turqisë pas tentativës për grusht shteti", deklaroi Çelik...

Çelik: Anëtarësimi i Turqisë në BE, i nevojshëm për interesat kombëtare

Ministri i Integrimit Evropian dhe kryenegociatori, Omer Çelik, bëri të ditur se anëtarësimi i plotë i Turqisë në BE është i nevojshëm nga aspekti i interesave kombëtare të saj.

I ndodhur në Bruksel për kontakte të ndryshme, ministri Çelik iu përgjigj pyetjeve në lidhje me rendin e ditës për kanalin televiziv TV 24.

Në vlerësimin e tij të bërë gjendjes së fundit të marrëdhënieve Turqi-BE, ministri Çelik tha: “Siç dihet gjatë vitit të fundit kaluam një krizë të rëndë. Kjo krizë filloi para 15 korrikut për shkaqe të ndryshme, ndërsa u thellua edhe më shumë me debate për shkak të dështimit të përkrahjes së pritur dhe të merituar pas tentativës për grusht shteti. Tani mund të themi se në pikën e arritur kjo krizë të paktën është ngrirë në disa pika të caktuara”.

Omer Çelik tërhoqi vëmendjen se ajo që thelloi krizën në marrëdhëniet Turqi-BE është dështimi i BE-së në dhënien e përkrahjes së fuqishme ndaj Turqisë pas tentativës për grusht shteti të ndërmarr më 15 korrik 2016 nga ana e organizatës terroriste gyleniste/strukturat paralele në shtet (FETO/PDY), ndërsa vijoi me këto fjalë: “Fatkeqësisht u shfaq një qëndrim jashtëzakonisht i gabuar. Ende pa kaluar 24 orë nga tentativa Komisioneri Përgjegjës për Zgjerim bëri një postim në Twitter ku thoshte se arrestimet janë përgatitur para tentativës për grusht shtet. Kjo në njëfarë mënyre tregon se pjesëtarët e FETO-s ekuacionin e puçit të kontrolluar e kanë formuluar prej fillimit pas dështimit të tentativës dhe e kanë përhapë në institucione të ndryshme”.

Në përgjigje të pyetjes se si do të pasqyrohet zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme në marrëdhëniet me BE-në, Çelik tha se ai si ministër i BE-së bën përpjekje për të gjetur një pikë të përbashkët mes perspektivave të Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

“Natyrisht që ajo që më intereson mua janë interesat kombëtare të Turqisë. Kamë vërejtur se anëtarësimi i plotë i Turqisë në BE është një nevojë nga aspekti i interesave kombëtare dhe jam i mendimit se duhet mbrojtur ky qëndrim”, deklaroi ministri Çelik dhe shtoi: “Ndërkohë që Turqia lufton kundër DAESH-it dhe PKK-së, ajo si një vend sovran mbron sigurinë dhe kufijtë e saj. Në të njëjtën kohë mbron sigurinë dhe kufijtë e Evropës. Sikur ne të mos arrinim në marrëveshje më 18 mars, të mos e menaxhonim krizën e migrimit në këtë mënyrë, të mos luftonim në këtë mënyrë kundër DAESH-it dhe organizatave tjera terroriste, të gjitha krizat me të cilat ballafaqohemi sot do të ishin nëpër rrugët e Evropës. Kjo krizë do të ndikonte në ndryshimin e hartës politike në Evropë”.

Ndërkaq në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me armiqësinë në rritje kundër Presidentit Erdogan në Evropë, ai tha se “Këto shtresa të cilat janë armiq të Erdoganit, të islamit, janë antisemit, ksenofob, në të vërtetë janë armiq të vlerave evropiane”.

Ndërsa në lidhje me kërkesën e Gjermanisë për të vizituar trupat në bazën ajrore në Konja ministri Çelik tha se “Qëndrimi i shfaqur kohëve të fundit kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan, Turqisë dhe institucioneve të saj nga ana e një aleati me të cilin kemi marrëdhënie të ngushta, nuk i kanë hije Gjermanisë”.

“Normalizimi i këtyre marrëdhënieve është në duart e Gjermanisë. Në qoftë se ajo i vendos marrëdhëniet në kuadër të këtij normalizimi dhe në kuadër të qasjeve të arsyeshme ajo do të gjejë përgjigje të arsyeshme nga ana e Turqisë”, bëri të ditur Çelik.



Lajme të ngjashme