Çelik: Deklaratat e Schulz, mungesë respekti për liritë

Ndaj deklaratave të Martin Schulz për Presidentin Erdoan ka reaguar përmes një postimi në median sociale edhe ministri i çështjeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe kryenegociatori Omer Çelik.

Çelik: Deklaratat e Schulz, mungesë respekti për liritë

Ministri i çështjeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe kryenegociatori Omer Çelik (Ömer Çelik) tha se deklaratat e politikanëve gjermanë rreth Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) janë të papranueshme.

"Për fat të keq, deklaratat e fundit të disa politikanëve gjermanë janë vendosur përsëri në qendër të konceptit të standardit të dyfishtë. Janë të papranueshme deklaratat e këtyre politikanëve në lidhje me takimin e Presidentit Erdoan me qytetarët tanë që jetojnë në Gjermani", shkruan Çelik në një deklaratë, që e ka bërë në llogarinë e tij në median sociale.

Gjatë bisedave që kam pasur me disa politikanë gjermanë, të cilët i njoh edhe personalisht,- vazhdon Çelik postimin e tij,- kemi biseduar në suazën më të gjerë për të drejtat dhe liritë themelore. 

"Edhe ne këtë çështje e trajtojmë brenda një kornize sa më të gjerë të mundshme. Me çdo rast themi që parimet janë të vlefshme për të gjithë, pra duhen zbatuar nga të gjithë. Këto deklarata janë një shembull tjetër për një person që ka lejuar edhe organizatën separatiste terroriste PKK të hapë ekspozitë brenda ambienteve të Parlamentit Evropian, në kohën kur ka qenë kryeparlamentar”, thotë kryenegociatori i Ankarasë me Brukselin.

Ministri Çelik tha se e drejta e tubimit dhe demonstrimit, liria e shprehjes dhe shtypit, për këta politikanë është bërë një material retorik dhe konsumi politik të brendshëm.

"Ata që janë të ndjeshëm ndaj këtyre lirive duhet ta dinë se këta politikanë nuk i respektojnë liritë, ata i përdorin ato vetëm për qëllime politike dhe deklaratat e këtyre lloj politikanëve në histori do të zënë vend jo si mbrojtëse të këtyre lirive, por si një dëftesë e mosrespektimit të lirive”, e përfundon mesazhin ministri i Çështjeve të BE-së, Omer Çelik.

 


Lajme të ngjashme