Çavusoglu: Deputetët gjermanë aktualisht mund të vizitojnë bazën e NATO-së në Konja

“Në qoftë se Gjermania hedh një hap pozitiv, ne do të hedhim dy", deklaroi ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu.

Çavusoglu: Deputetët gjermanë aktualisht mund të vizitojnë bazën e NATO-së në Konja

Ministri i Jashtëm, Mevlut Çavusoglu bëri të ditur se aktualisht deputetët gjermanë nuk mund të vizitojnë bazën ushtarake në Inxhirlik të Adanasë, por mund ta vizitojnë bazën e NATO-së në Konja.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ndodhet në Ankara për një vizitë zyrtare për të biseduar në lidhje me pranimin e kërkesave për azil të anëtarëve të organizatës terroriste gyleniste FETO, vizitën e deputetëve gjermanë të bazës ushtarake në Inxhirlik dhe marrëdhëniet Turqi-Gjermani.

Ministri Gabriel zhvilloi një takim me ministrin Çavusoglu në rezidencën e ministrisë.

Në deklaratën e tij të bërë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që u organizua pas takimit, ministri Çavusoglu tha se “Në qoftë se Gjermania hedh një hap pozitiv, ne do të hedhim dy. Ne biseduam në lidhje me mënyrën se si mund të përqendrohemi në një agjendë pozitive”.

Ndërkaq në lidhje me vizitën e deputetëve gjermanë në bazën ushtarake në Inxhirlik, ministri Çavusoglu tha se “Aktualisht baza ushtarake e Inxhirlikut nuk mund të vizitohet, por mund të vizitojnë bazën ushtarake të NATO-së në Konja”.

Duke e bërë të ditur se Turqia nuk ka probleme me Evropën dhe Gjermaninë, ministri Çavusoglu tha se parë nga aspekti i numrit të turistëve gjermanë që vizitojnë Turqinë, Gjermania është njëra prej partnerëve më të rëndësishme të Turqisë dhe se në këtë vend jetojnë mbi 3,5 milionë qytetarë turq, prandaj nuk ka asnjë arsye që Turqia të jetojë probleme me këtë vend.

Mirëpo, theksoi Çavusoglu, armiqësia ndaj Turqisë shkaktoi rritjen e racizmit dhe ksenofobisë në Gjermani dhe se edhe homologu i tij gjerman e pranon këtë çështje.

“Kjo në të vërtetë është edhe një problem i Gjermanisë dhe i Evropës. Ne dëshirojmë që Gjermania ti tejkaloj këto probleme. Ky trend nuk e çon Evropën në pikë të mirë”, deklaroi ministri Çavusoglu.

Mevlut Çavusoglu gjithashtu tha se çështja tjetër që shqetëson Turqinë është edhe aktiviteti i organizatës separatiste terroriste PKK në Gjermani, ndërsa bëri të ditur se prania e anëtarëve të FETO-së në këtë vend dhe aplikimet për azil të më shumë se 400 anëtarëve të kësaj organizate është një çështje më vete.

“Dhimbjet tona janë ende të freskëta. Për këtë arsye ne nuk duam që anëtarët e FETO-s të strehohen në vendet siç është Gjermania”, - deklaroi Çavusoglu.

Ndërkaq në lidhje me shtetasin gjerman Deniz Yucel, i cili është i ndaluar në Turqi, ministri Çavusoglu tha se “Kjo nuk ka të bëjë me gazetarinë, por me terrorin. Ne jemi shumë të ndjeshëm në këtë çështje. Shërbimet informative kanë filluar ti përdorin gazetarët si agjentë të tyre. Në qoftë se deshifrohet atëherë ata ngrenë zërin për arrestim të një gazetari. Kjo mund të thuhet në qoftë se arrestohet për aktivitete gazetareske, por në qoftë se përkrahë terrorin ose në qoftë se bëhet fjalë për aktivitete agjenture, atëherë ne jemi shumë të ndjeshëm në këto çështje”.

Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel në prononcimin e tij tha se aktualisht nuk është e mundur vizita në Inxhirlik, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Mua natyrisht se më vjen keq nga kjo. Ne nuk kemi marr ndonjë vendim të prerë në lidhje me tërheqjen nga baza në Inxhirik. Dislokimi i trupave gjermane në një vend tjetër nuk nënkupton përkeqësimin e marrëdhënieve”.

Gabriel tha se marrëdhëniet turko-gjermane kalojnë nëpër një periudhë të vështirë dhe vijoi duke thënë se “Turqia është një vend që ka lidhje të shumta të rëndësishme me Gjermaninë. Tentativa për grusht shteti është e patolerueshme. Duhet të lehtësohet lëshimi i vizave për shkencëtarët dhe biznesmenët”.

Ministri gjerman gjithashtu bëri të ditur se është e nevojshme që të zgjerohet Unioni Doganor mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

Gabriel rikujtoi se vendimet për azil në Gjermani i japin gjykatat e pavarura.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel do të takohej edhe me Kryeministrin Binali Yildirim, mirëpo ky takim është anuluar për shkak të “programit të ngjeshur” të Kryeministrit Yildirim.

Gabriel do ta paraqes listën e parlamentarëve gjerman të cilët dëshirojnë ta vizitojnë bazën ushtarake Inxhirlik, ndërsa autoritetet qeveritare do të vendosin në lidhje me këtë vizitë pas shqyrtimit të listës.



Lajme të ngjashme