Moskë-Ankara, bisedime për prodhimin e përbashkët të avionit luftarak të gjeneratës së 5-të

Shefi ekzekutiv i kompanisë shtetërore ruse të industrisë së mbrojtjes, Sergey Chemezov, deklaroi se Moska dhe Ankaraja po bisedojnë për të prodhuar së bashku avionin luftarak të gjeneratës së 5-të...

Moskë-Ankara, bisedime për prodhimin e përbashkët të avionit luftarak të gjeneratës së 5-të

Sergey Chemezov, shef ekzekutiv i kompanisë shtetërore ruse të industrisë së mbrojtjes, “Rostec”, deklaroi se vendi i tij dhe Turqia po bisedojnë për të prodhuar së bashku avionin luftarak të gjeneratës së 5-të.

“Për këtë çështje në Turqi ndodhet infrastruktura e nevojshme. Së bashku mund të krijojmë diçka të re dhe moderne”, theksoi ai.

Në një intervistë për Agjencinë Anadolli (AA), Sergey Chemezov ka folur për sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 dhe projektet e tjera me Turqinë.

Pasi ka shpjeguar se janë drejt fundit bisedimet teknike të Rusisë me Turqinë për sistemin raketor S-400, ai tha se aktualisht po bisedojnë për çështjet në lidhje me financimin e këtij sistemi.

Duke vënë në dukje se çështja e financimit po bisedohet në nivel ndërqeveritar, Chemezov është shprehur se “në marrëveshjet midis qeverive vetëm këto të fundit mund të japin kredi, prandaj organet ruse dhe turke janë duke vazhduar këshillimet për këtë çështje”.

Mes të tjerash, drejtuesi i kompanisë “Rostec” ka theksuar se Rusia është e gatshme të prodhojë së bashku me Turqinë raketat S-400 duke shtuar se momentalisht ka disa pengesa për këtë çështje.

“Në Turqi ka mangësi në çështjen e ekspertëve të kësaj fushe dhe për bazën ku mund të bëhet i gjithë ky prodhim. Duke qenë se ju (Turqia) nuk keni pasur ndonjëherë më parë një prodhim të tillë, kjo iniciativë nuk do të jetë shumë fitimprurëse. Nuk është e drejtë që të kryesh investime në shuma të mëdha dhe të mos fitosh diçka. Por kjo sërish duhet të vlerësohet nga ana ekonomike dhe nga të gjitha pikëpamjet”, shtoi Chemezov.

“Me Turqinë po bisedojmë për prodhimin e avionit luftarak”

Pasi ka tërhequr vëmendjen se mes Rusisë dhe Turqisë po flitet edhe për prodhimin e avionit luftarak të gjeneratës së 5-të, Chemezov ka rikujtuar se Turqia zotëron infrastrukturën e nevojshme për këtë dhe është e aftë të kryejë montimin e avionëve të saj.

“Si rezultat i të gjitha këtyre zhvillimeve, ne mund të krijojmë gjëra të reja dhe moderne”, ka theksuar zyrtari rus.

I pyetur në lidhje me sistemet raketore S-500, Chemezov tha se as ushtria ruse nuk e ka inventarizuar ende këtë sistem dhe se është mjaft herët për të bërë ndonjë koment për çështjen në fjalë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri të ditur në një deklaratë ditën e enjte se asnjëherë më parë nuk i kanë prodhuar raketat S-400 jashtë vendit, “por asgjë nuk ishte e pamundur”.



Lajme të ngjashme