Erdogan: Referendumi i 16 prillit me rëndësi historike, ndryshon sistemin qeverisës

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se referendumi popullor i 16 prillit ka një rëndësi historike, pasi do të ndryshojë sistemin qeverisës të Turqisë...

Erdogan: Referendumi i 16 prillit me rëndësi historike, ndryshon sistemin qeverisës

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se referendumi popullor i 16 prillit ka një rëndësi historike, pasi do të ndryshojë sistemin qeverisës të Turqisë.

Kreu i Shtetit të Turqisë mbajti një fjalim drejtuar të zgjedhurve lokalë (myftar) në Qendrën Kombëtare të Kongreseve dhe Kulturës pranë Kompleksit Presidencial, në Bestepe të Ankarasë.

Gjatë këtij fjalimi, Erdogan rikujtoi se Turqia do t’i drejtohet kutive të votimit pas 11 ditësh për të bërë një zgjedhje shumë të rëndësishme, ku disa ndryshime kushtetuese kërkojnë përgjigje plebishitare.

“Ky referendum popullor mbart një rëndësi historike, pasi, si përmbajtje, ai do të ndryshojë sistemin qeverisës të Turqisë. Tipari më i spikatur i sistemit të ri është se ai rrit fuqinë e vullnetit kombëtar mbi qeverisjen e vendit”, tha ai.

Sa u përket pretendimeve se më 17 prill do të shfuqizohet ligji për të zgjedhurit lokalë dhe se nuk do të ekzistojë më një funksion i tillë, lideri turk nënvizoi se këto janë mashtrime dhe nuk pasqyrojnë asgjë nga e vërteta.

Në vijim, Erdogan u dha të zgjedhurve lokalë edhe sihariqin se kontributet e tyre për Institutin e Sigurimeve Shoqërore (SGK) do të paguhen nga shteti.

“Krahas të zgjedhurve lokalë, Ministria e Punëve të Brendshme do të paguajë edhe kontributet për sigurime shoqërore të rojave të sigurisë, që gjithashtu do të sigurohen nga shteti”, garantoi Presidenti i Republikës së Turqisë.



Lajme të ngjashme