Rryma Turke – Gazprom hap në Stamboll një filial të “South Stream Transport B.V.”

Gjiganti rus i energjisë, “Gazprom”, hapi të mërkurën në Stamboll një filial të kompanisë “South Stream Transport B.V.” për ndërtimin e gazsjellësit “Rryma Turke”...

Rryma Turke – Gazprom hap në Stamboll një filial të “South Stream Transport B.V.”

Gjiganti rus i energjisë, “Gazprom”, hapi të mërkurën në Stamboll një filial të kompanisë “South Stream Transport B.V.” për ndërtimin e gazsjellësit “Rryma Turke”.

Presidenti i Gazprom-it, Aleksey Miller, njoftoi personalisht se kanë hapur në Stamboll një filial të kompanisë “South Stream Transport B.V.” për realizimin Rrymës Turke, një projekt gazsjellës për transmetimin e gazit rus në Turqi dhe prej këtu në Evropë.

Miller theksoi se filiali i kompanisë “South Stream Transport B.V.” në Stamboll u hap për të jetësuar projektin Rryma Turke dhe për të koordinuar punën në Turqi.

“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm. Në këtë mënyrë janë pjekur të gjitha kushtet për të filluar ndërtimin e pjesës detare të projektit”, shtoi kreu i Gazprom-it.

Projekti i quajtur “Rryma Turke” parashikon të transmetojë gazin rus në Evropë duke kaluar nën Detin e Zi për të mbërritur fillimisht në territoret turke dhe më pas në Greqi.

Sipas deklaratës zyrtare të Gazprom-it, pjesa nëndetare e gazsjellësit Rryma Turke përbëhet nga 4 tubacione. Secila prej këtyre tubacioneve do të transmetojë 15,75 miliardë metra kub gaz natyror.

Pjesa me gjatësi 600 km e gazsjellësit do të ndjekë itinerarin e tubacionit “Rryma e Jugut”, një projekt i anuluar më herët. Më pas, pjesa me gjatësi 250 km do të përparojë drejt territorit evropian të Turqisë.

Në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet dy vendeve, i gjithë gazi natyror, që do të kalojë nga tubacioni i parë, do të furnizojë tregun e Turqisë.

Me anë të Rrymës Turke, parashikohet që të transportohen deri në Evropë përmes territoreve të Turqisë 63 miliardë metra kub gaz natyror rus në vit. Nga kjo sasi, 47 miliardë metra kub gaz do të transmetohen për në Evropë, kurse pjesa e mbetur prej 16 miliardë metrash kub do të konsumohet në tregun e brendshëm të Turqisë.



Lajme të ngjashme