Albayrak: Turqia, një mjedis mik i investimeve dhe fitimprurës për të gjitha palët

Në SHBA për Konferencën Energjetike IHS CERAWeek 2017, Ministri i Energjetikës dhe i Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, ftoi në Turqi kompanitë dhe investimet energjetike...

Albayrak: Turqia, një mjedis mik i investimeve dhe fitimprurës për të gjitha palët

Ministri i Energjetikës dhe i Burimeve Natyrore, Berat Albayrak, deklaroi të mërkurën se prioriteti i Turqisë në fushën e energjisë është diversifikimi i burimeve të gazit natyror, të energjisë elektrike, asaj bërthamore dhe të rinovueshme.

Berat Albayrak iu përgjigj pyetjeve të Daniel Yergin, fitues i çmimit “Pulitzer” dhe zv/president i IHS-së, kompani për konsulencë ndërkombëtare në fushën e energjisë, në kuadër të Konferencës Energjetike IHS CERAWeek 2017, e cila po mbahet në qytetin Houston-Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Rreth 60 për qind e rezervave të përgjithshme botërore të naftës dhe gazit natyror gjenden në rajonin dhe hapësirën gjeografike, ku pozicionohet edhe Turqia”, tha Albayrak dhe nënvizoi se qeveria turke, krahas gazit të importuar nga Rusia, Azerbajxhani, Irani, Nigeria dhe Algjeria, po vazhdon të investojë gjithashtu për projektet e gazit natyror të lëngëzuar (LNG) dhe cisternave lundruese të LNG-së.

Duke tërhequr vëmendjen se Turqia ka potencial të madh në aspektin e burimeve energjetike të rinovueshme si ajo hidroelektrike, energjia diellore dhe eolike, ministri Albayrak theksoi se gjatë viteve të fundit kanë rënë ndjeshëm kostot e energjisë së rinovueshme duke mundësuar edhe rritjen e investimeve në këtë sektor.

Andej nga gjysma e verës – shtoi ai – do të shpallim projektin e energjisë eolike me kapacitet 1.000 MW, ndërkohë që në 10 vitet e ardhshme synojmë të realizojmë projekte të energjisë diellore dhe eolike me kapacitet prej të paktën 10.000 MW.

Pasi shpalosi synimin e Turqisë për të përballuar nga burimet vendore të paktën 2/3 e portofolit energjetik, ministri nënvizoi gjithashtu se një kapacitet prej 1.400 MW nga energjia eolike është përfshirë në sistem vetëm gjatë vitit të kaluar.

Berat Albayrak shpjegoi se sipërmarrësit e huaj, që kanë investuar në Turqi gjatë 15 viteve të fundit, kanë dalë përherë të fituar.

“Ftojmë në sektorin turk të energjisë kompanitë dhe investimet energjetike. Prioriteti i Turqisë në fushën e energjisë është diversifikimi i burimeve të gazit natyror, të energjisë elektrike, asaj bërthamore dhe të rinovueshme. Kemi ndërtuar një mjedis mik të investimeve, financiarisht të volitshëm dhe fitimprurës për të gjitha palët”, përfundoi ministri turk i Energjetikës dhe i Burimeve Natyrore.



Lajme të ngjashme