Pavarësia e Kosovës festohet me entuziazëm në Ankara

Agjencia Turke e Lajmeve Anadolli bën të ditur se nën përkujdesjen e Ambasadës së Kosovës në Ankara, në një hotel u organizua pritje solemne me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Pavarësia e Kosovës festohet me entuziazëm në Ankara

Në pritjen solemne morën pjesë Shefi i dytë i Shtatmadhorisë së Turqisë Gjeneral Ümit Dündar, kryekëshilltari i presidentit të Turqisë Yalçın Topçu, kryetarë të disa partive politike, shefa të misioneve në kryeqytetet dhe atashe ushtarakë raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/kryeministri i Turqisë Mehmet Şimşek, në fjalën e tij që mbajti me këtë rast, rikujtoi se Turqia është në mesin e shteteve të para që kanë njohur Kosovën.

Duke theksuar se sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë çështje të padiskutueshme për Turqinë, Şimşek u shpreh se Turqia bën përpjekje të mëdha që Kosova të pranohet në arenën ndërkombëtare dhe të gjejë vendin e merituar në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ai gjatë fjalës së tij po ashtu tërhoqi vëmendjen se Kosova dhe Turqia kanë histori të përbashkët dhe kulturë tejet të pasur, duke shtuar se për këtë arsye marrëdhëniet mes palëve qëndrojnë mbi themele shumë të shëndosha.

Zv/kryeministri turk tha se e kanë pritur me kënaqësi të madhe vizitën e paradokohshme të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Turqi dhe se kjo vizitë, sipas tij, u ka dhënë intensitet të ri marrëdhënieve mes dy shteteve.

Siç tha Şimşek, këto lloj vizitash janë shumë të rëndësishme për thellimin dhe pasurimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Gjithmonë kemi dhënë mbështetje të fuqishme për zhvillimin dhe ngritjen e Kosovës në aspektin ekonomik dhe kemi qenë pranë saj. Edhe më tutje do të vazhdojnë të jemi përkrah Kosovës", vuri në pah Şimşek, duke vazhduar se Turqia i mbështet përpjekjet e Kosovës për integrime në strukturat euroatlantike dhe se besojnë që këto përpjekje do të japin kontribut të madh si në paqen në rajon, njashtu edhe në prestigjin të cilin Kosova e meriton.

Şimşek, duke nënvizuar se një nga lidhjet më të fuqishme mes Kosovës dhe Turqisë janë urat midis njerëzve, theksoi se në Kosovë ka qytetarë turq dhe në Turqi të ardhur nga Kosova, gjë që, sipas tij, luan rol të rëndësishëm në vazhdimin e këtyre lidhjeve shumë të fuqishme mes dy shteteve.

Nga ana tjetër, ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, tha se është nder i veçantë për të që feston përvjetorin e nëntë të shtetit të tij.

Spahiu theksoi se gjatë periudhës nëntëvjeçare si shtet i pavarur, kanë shënuar progres të rëndësishëm në aspektin politik, ekonomik, pajtimin dhe mbrojtjen e pakicave, duke shtuar se pavarësia e Kosovës ka kontribuar në forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.

Duke tërhequr vëmendjen se Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka qenë faktor konstruktiv i stabilitetit i cili u është përgjigjur pozitivisht bashkëpunimit dhe zhvillimit të kontinentit dhe rajonit, Avni Spahiu u shpreh se Kosova ka zhvilluar bashkëpunim të afër dhe miqësor me shtetet fqinje dhe shtetet e tjera të botës.

Spahiu më tej u bëri thirrje shteteve të tjera që ta njohin Kosovën dhe të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin në Ballkan. “Në nëntë vitet e fundit, ne i kemi vazhduar përpjekjet si brenda vendit, ashtu edhe jashtë, për ta fuqizuar pavarësinë e shtetit tonë. Natyrisht, ne besojmë se e ardhmja e Kosovës qëndron brenda familjes demokratike evropiane. Kosova po përparon me vendosmëri në procesin e integrimeve. Ne vazhdojmë me vendosmërinë tonë për anëtarësimin e plotë në BE dhe NATO”, theksoi Spahiu.

Ambasadori Spahiu tha se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me Turqinë, siç e quan ai, shtet i madh dhe vëllazëror.

Përgatitur nga AA



Lajme të ngjashme